Health & Beauty Lifestyle

Normat e vaksinimit të fëmijëve po bien, por përse?!

Normat e vaksinimit të fëmijëve në Shtetet e Bashkuara kanë rënë që nga pandemia, duke rritur shqetësimin e ekspertëve për rikthimin e sëmundjeve që mund të parandalohen me vaksina. Sipas një raporti të KFF, më pak fëmijë nën moshën 24 muaj po marrin vaksinat rutinë, ndërsa ekspertët ia atribuojnë këtë prirje dezinformimit, ndryshimeve në politikat shëndetësore dhe rënies së besimit te institucionet e shëndetit publik. Që prej vitit 1995, Qendrat rekomandojnë një kalendar të rregullt vaksinimi për fëmijët, për t’i mbrojtur nga sëmundje si hepatiti B, fruthi dhe gripi. Sipas mjekëve, këto vaksina janë të sigurta, efektive dhe mbeten një nga mënyrat më të rëndësishme për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive.

Hezitimi ndaj vaksinave po rritet

Historikisht, normat më të ulëta të vaksinimit janë vërejtur në disa komunitete minoritare, pjesërisht për shkak të pabarazive në sistemin shëndetësor dhe mungesës së besimit ndaj institucioneve. Megjithatë, të dhënat e fundit tregojnë se rënia e vaksinimit po shfaqet gjithnjë e më shumë edhe te familjet e bardha dhe ato aziatike, të cilat më parë kishin nivele të larta vaksinimi. Për shembull, përqindja e fëmijëve që marrin të paktën një dozë të vaksinës MMR (kundër fruthit, shytave dhe rubeolës) deri në moshën 24 muaj ka rënë vitet e fundit në këto grupe.

Ndryshimet në politika kanë ndikuar te besimi

Ekspertët thonë se besimi i publikut është dobësuar edhe nga informacionet kontradiktore dhe ndryshimet në politikat shëndetësore. Pas emërimit në vitin 2025, Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., ndërmori disa ndryshime në politikat e vaksinimit, përfshirë uljen e numrit të vaksinave të rekomanduara për fëmijët, reduktimin e financimit për kërkimet mbi vaksinat e reja mRNA dhe deklarata që vënë në dyshim lidhur me sigurinë e vaksinave, pavarësisht mungesës së provave shkencore. Sipas mjekëve, kur rekomandimet shëndetësore perceptohen si të paqëndrueshme ose ndikohen nga debatet politike, njerëzit fillojnë të humbasin besimin dhe të hezitojnë të vaksinojnë fëmijët.

Dezinformimi në rrjetet sociale

Rrjetet sociale kanë bërë më të lehtë shpërndarjen e informacionit, por edhe të pretendimeve të rreme. Video alarmuese, teori konspirative dhe rrëfime personale pa baza shkencore kanë bërë që disa prindër të ndihen të pasigurt për vaksinimin. Ekspertët paralajmërojnë se informacioni i pasaktë mund të krijojë frikë dhe konfuzion, edhe te prindërit që e kuptojnë rëndësinë e vaksinave.

Si funksionojnë vaksinat?

Vaksinat e trajnojnë sistemin imunitar të njohë dhe luftojë mikrobet që shkaktojnë sëmundje. Para se të miratohen për përdorim, ato kalojnë faza të shumta testimesh për të garantuar sigurinë dhe efektivitetin. Pas vaksinimit mund të duhen disa ditë që organizmi të krijojë mbrojtje. Efektet anësore janë zakonisht të lehta dhe të përkohshme, si dhimbje në vendin e injektimit ose lodhje. Mjekët theksojnë se vaksinimi është një masë parandaluese, njësoj si vendosja e rripit të sigurimit në makinë apo kontrolli i tensionit të gjakut. Edhe pse nuk eliminon plotësisht rrezikun, ai ul ndjeshëm mundësinë e sëmundjeve serioze.

Pse është i rëndësishëm vaksinimi për të gjithë?

Vaksinimi nuk mbron vetëm personin që e merr vaksinën. Ai ndihmon edhe në mbrojtjen e foshnjave që janë ende shumë të vegjël për t’u vaksinuar, personave me sistem imunitar të dobësuar dhe të moshuarve, të cilët mund të mos krijojnë mbrojtje të mjaftueshme. Kur përqindja e vaksinimit bie, rritet rreziku që sëmundje të kontrolluara prej kohësh, si fruthi, të rikthehen dhe të përhapen në komunitet.

Përpjekjet për të rritur besimin

Organizatat shëndetësore dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor po punojnë për të përmirësuar qasjen në vaksina dhe për të rikthyer besimin e publikut. Ekspertët theksojnë se bisedat e hapura mes mjekëve dhe prindërve janë thelbësore për të sqaruar dyshimet dhe për të ofruar informacion të bazuar në prova shkencore. Ata këshillojnë që prindërit, nëse hasin informacione kontradiktore ose kanë pyetje rreth vaksinave, të konsultohen me pediatrin ose një profesionist të kujdesit shëndetësor, në vend që të mbështeten te informacioni i pakonfirmuar në internet.