Cristiano Ronaldo dhe partnerja e tij, Georgina Rodriguez, po përgatiten për një pushim luksoz në Ibiza, ku do të relaksohen në jahtin e tyre privat.
Për të garantuar një përvojë kulinare të jashtëzakonshme, çifti ka angazhuar një kuzhiniere private – influencuesen e njohur Marta Garcia Bou, e njohur në rrjetet sociale si Boukie.
Marta, e cila ka fituar famë përmes videove të saj në TikTok dhe Instagram ku shfaq recetat dhe aftësitë në kuzhinë, u kontaktua drejtpërdrejt nga Georgina përmes Instagramit.
Ajo do të përgatisë ushqime ekskluzive për çiftin dhe familjen e tyre gjatë gjithë ditës dhe natës, dhe sipas saj, për vetëm një javë pune do të paguhet më shumë se një milion euro.
Edhe nëse kërkojnë biftek në orën dy të mëngjesit, do t’ua përgatis
– tha Marta, duke theksuar se do të jetë një eksperiencë sfiduese por emocionuese, sidomos për shkak të pranishmërisë së fëmijëve të vegjël që mund të kenë kërkesa të papritura.
Ajo që e bën këtë histori edhe më interesante është fakti se Marta është diplomuar për inxhinieri dhe punon si konsulente në kompaninë prestigjioze Deloitte.
Megjithatë, pasioni i saj për kuzhinën dhe ndikimi në rrjetet sociale i kanë sjellë suksesin më të madh, duke tërhequr vëmendjen e shumë figurave publike, përfshirë këngëtarin spanjoll Quevedo.
Me rreth gjysmë milioni ndjekës në TikTok dhe afro 400 mijë në Instagram, Marta është tashmë një nga emrat më të kërkuar në fushën e gastronomisë në rrjet.