Këngëtari amerikan D4vd, emri i vërtetë i të cilit është David Anthony Burke, është deklaruar i pafajshëm përballë akuzave për vrasje të shkallës së parë në lidhje me vdekjen e 14-vjeçares Celeste Rivas Hernandez.
21-vjeçari u paraqit për herë të parë në gjykatë pas arrestimit të tij javën e kaluar, ndërsa ekipi i tij ligjor paraqiti zyrtarisht deklaratën e pafajësisë në emër të tij.
Avokatët theksuan se provat ekzistuese, sipas tyre, do të tregojnë se ai nuk është përgjegjës për krimin dhe se do të mbrojnë me vendosmëri pafajësinë e tij.
Sipas prokurorisë, adoleshentja kishte shkuar në banesën e Burke në Hollywood Hills më 23 prill 2025 dhe që prej asaj dite nuk ishte parë më.
Mbetjet e saj u zbuluan më 8 shtator 2025 në bagazhin e përparmë të një automjeti Tesla të regjistruar në emër të këngëtarit, çka çoi në intensifikimin e hetimeve.
Prokuroria e Los Angeles County ka ngritur tre akuza kryesore ndaj tij, vrasje e shkallës së parë me rrethana rënduese, vrasje për përfitim financiar dhe eliminim i një dëshmitari në një hetim.
Autoritetet dyshojnë se viktima mund të ketë qenë dëshmitare në një çështje që lidhej me të, ndërsa në dosje përfshihen edhe akuza të tjera të rënda, si akte seksuale me të mitur dhe gjymtim trupi. Nuk përjashtohet që prokuroria të kërkojë dënimin maksimal.
Policia ka bërë të ditur se hetimi ka qenë i ndërlikuar për shkak të gjendjes së mbetjeve mortore dhe kohës së gjatë nga zhdukja deri në zbulimin e trupit.
Ndërkohë, familja e vajzës ka deklaruar se është e vendosur që drejtësia të vihet në vend.
D4vd, i njohur për këngë si “Here With Me” dhe “Romantic Homicide”, ndodhej në turne në momentin kur u zbuluan mbetjet, por anuloi menjëherë të gjitha aktivitetet. Aktualisht ai mbahet në paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht, ndërsa procesi gjyqësor vijon.