Tre luanë të shpëtuar nga “kopshti zoologjik më i keq në Evropë” janë bllokuar në Shqipëri, duke u mbajtur në rrethime shumë të vogla. 12-vjeçari Zhaku dhe djemtë e tij 8-vjeçarë, Boby dhe Lenci, kanë “ngelur” peng i veprimeve burokratike, çka nuk u lejon atyre të largohen nga Shqipëria për të filluar një jetë të re. Kështu shkruan britanikja “Daily Mail”. Gazeta shkruan se pasi u morën nga një park privat i kafshëve në Fier, të kequshqyer dhe në kushte tronditëse ata po mbahen në Kopshtin Zoologjik të Tiranës. Organizata ndërkombëtare për kafshët (Katër Putrat) është përpjekur dy herë për të nxjerrë luanët nga Shqipëria, por autoritetet refuzojnë të lëshojnë dokumentet e duhura.
Ministria shqiptare e Turizmit tha për “Mail Online” se luanët mund të mbahen në kafazet e tyre të vogla deri në shtator. Një zëdhënëse tha: “Pronari i kopshtit zoologjik ku ishin fillimisht kafshët ka ngritur një padi për dëmtim të biznesit. Derisa kjo çështje të zgjidhet nga gjykata, kafshët do qëndrojnë në Shqipëri. Kjo mund të zgjasë së paku deri në shtator”.