Aktualitet

Aktivitet bankar pa licencë, kërkohen 11 masa sigurimi në Berat!

Prokuroria e Beratit ka kërkuar masat e sigurimit “Arrest në shtëpi” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për 11 persona të dyshuar se ushtronin aktivitet financiar pa licencë, në kundërshtim me ligjin.

Sipas organit të akuzës, hetimet e zhvilluara zbuluan se në gjashtë subjekte tregtare administrohej aktivitet këmbimi valutor pa autorizimin e organeve kompetente dhe pa licencë të lëshuar nga Banka e Shqipërisë.

Hetimi proaktiv, i zhvilluar për rreth gjashtë muaj, u shtri në pesë bashki të qarkut Berat dhe dokumentoi aktivitetin e paligjshëm të shtetasve S.T., H.S., M.M., S.H., S.C., A.H., A.S., O.V., Z.M., E.T. dhe K.P.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit administronin biznese të regjistruara si agjentë për kryerjen e transfertave të parave në emër dhe për llogari të subjekteve financiare jobanka, në Berat dhe Kuçovë. Megjithatë, subjektet nuk rezultonin të ishin të licencuara për ushtrimin e aktivitetit të këmbimit valutor, duke operuar jashtë kuadrit ligjor.

Si rezultat i kontrolleve të ushtruara gjatë procedimit penal, autoritetet sekuestruan shuma të konsiderueshme parash, konkretisht: 88 milionë lekë; 118 mijë euro; 7,390 dollarë amerikanë; 665 paund britanikë.