Aktorja Dakota Johnson do të interpretojë ikonën e Hollivudit, Marilyn Monroe, në filmin e ri “Flesh Impact”, me regji të Maggie Gyllenhaal.
Lajmi u bë i ditur më 27 korrik, ndërsa projekti realizohet me rastin e 100-vjetorit të lindjes së aktores legjendare.
Sipas producentëve, Johnson do të sjellë në ekran Marilyn Monroe në kulmin e famës së saj, ndërsa aktorja Ellen Burstyn do të interpretojë një version tjetër të saj, të përshkruar si “Marilyn që bota nuk e njohu kurrë”. Bashkë me njoftimin janë publikuar edhe imazhet e para të filmit, ku Dakota Johnson shfaqet me një transformim të jashtëzakonshëm që e bën të ngjajë me yllin e ndjerë.
Regjisorja Maggie Gyllenhaal tha se historia e Marilyn Monroe e ka intriguar prej vitesh dhe se pranoi menjëherë të realizonte projektin kur iu propozua.
“Gjithmonë kam qenë e magjepsur nga Marilyn Monroe. Kur m’u propozua të krijonim një projekt për 100-vjetorin e lindjes së saj, e dija se doja të bashkëpunoja për ta sjellë këtë histori në jetë. Me ‘Flesh Impact’ paraqesim imazhin e përjetshëm që të gjithë e njohim dhe e duam, përmes një qasjeje moderne që ripërcakton historinë e saj”, u shpreh Gyllenhaal.
Në një intervistë për Vanity Fair, regjisorja zbuloi se fillimisht kishte hezituar të merrte përsipër një projekt kaq të rëndësishëm.
“E njihja figurën e Marilyn Monroe dhe performancat e saj më të njohura, por mendova: ‘Ndoshta nuk jam personi i duhur për këtë histori’. Megjithatë, me kalimin e kohës kuptova se doja ta tregoja këtë rrëfim në një mënyrë të re”, tha ajo.
Gyllenhaal shtoi se ajo që e magjeps më shumë te Monroe është mënyra unike e aktrimit të saj.
“Aktrimi i saj është spontan, plot jetë dhe gëzim, por në të njëjtën kohë thellësisht prekës. Shpesh kam menduar se si do të kishte evoluar si aktore nëse do të kishte jetuar edhe 60 vite të tjera”, u shpreh regjisorja.
Përveç Dakota Johnson dhe Ellen Burstyn, në kastin e filmit bëjnë pjesë edhe Sepideh Moafi dhe Peter Sarsgaard.
Premiera botërore e “Flesh Impact” është planifikuar të mbahet në Festivalin e Filmit në Venecia 2026, në muajin shtator.