Bota

Danimarka vazhdon të detektojë dronë pranë objekteve ushtarake!

Dronë të paidentifikuar sërish janë parë, në afërsi të objekteve ushtarake në Danimarkë gjatë natës, siç njoftuan Forcat e Armatosura. Ky njoftim vjen pasi disa episode të ngjashme kanë ndodhur në afërsi të aeroporteve e instrastrukturës kritike në shtetin danez.

Mbrojtja daneze mund të konfirmojë se dronët u panë në disa lokacione të mbrojtjes së Danimarkës mbrëmë. Disa kapacitete të mbrojtjes u dislokuan.

Ushtria daneze nuk specifikoi se ku u detektuan dronët. Ndërkaq, policia tha se kishte parë dronë pranë bazës ajrore Karup, në perëndim të Danimarkës, siç raportoi agjencia e lajmeve Ritzau.

Në një tjetër moment, policia norvegjeze tha sot se po heton lëvizjen e mundshme të dronëve pranë bazës ajrore Oerland, që është baza kryesore për avionët luftarakë F-35 të Novergjisë.

Rojet në bazë kanë bërë disa vëzhgime në perimetrin jashtë bazës mëngjesin e së shtunës, deklaruan Forcat e Armatosura të Norvegjisë për agjencinë Reuters.

Aeroporti në Kopenhagen të Danimarkës u mbyll për disa orë të hënën kur disa dronë u panë në hapësirën ajrore. Pesë aeroporte të tjera, civile dhe ushtarake, po ashtu u mbyllën përkohësisht në ditët pasuese.

Autoritetet daneze i kanë quajtur inkursionet “sulme hibride” dhe kryeministrja Mette Frederiksen, tha më herët gjatë kësaj jave se ishin “sulmet më serioze ndaj infrastrukturës kritike daneze, deri më tani”.