Rajoni

DASH reagon pas dënimit të liderit të serbëve të Bosnjës, Dodik!

Departamenti amerikan i Shtetit kundërshton çdo veprim të drejtuesve në Bosnjë-Hercegovinë, që do të minonte sigurinë dhe stabilitetin e shtetit. Kjo deklaratë u bë nga zëdhënësja e DASH-it, Tammy Bruce, pasi Gjykata e Bosnjës dënoi presidentin e entitetit të Republikës Sërpska, Milorad Dodik, me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim të ushtrimit të detyrës së presidentit.

Shtetet e Bashkuara kanë investuar prej dekadash për një Bosnjë-Hercegovinë të qëndrueshme. Ne kundërshtojmë fuqishëm çdo veprim nga udhëheqësit vendorë që do të minonte sigurinë dhe stabilitetin. Ne mbështesim Marrëveshjen e Dejtonit dhe sovranitetin e integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës.

Dodik ka hyrë dy herë në listën e zezë amerikane për shkak të aktiviteteve të tij kundër Marrëveshjes së Paqes të arritur në Dejton, në vitin 1995. Dje, Gjykata në Bosnjë e dënoi për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkësisë Ndërkombëtare, Christian Schmidt.

Ndërkaq, i akuzuari i dytë në këtë rast, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të Republikës Sërpska, Millosh Llukiç, u lirua nga akuzat. Ky është vendim i Shkallës së Parë, ndaj të cilit Dodik mund të ankohet. Dodik shkoi në gjyq, me akuzën se ka nënshkruar dekrete presidenciale, përmes të cilëve shpalli të vlefshëm dy ligje jokushtetues të Republikës Sërpska, që më parë ishin shfuqizuar nga Përfaqësuesi i Lartë.

Eshtë fjala për ligjet mbi moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe moszbatimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në territorin e Republikës Sërpska.

Për mosrespektimin e vendimeve të përfaqësuesit të Lartë, në Kodin Penal të Bosnjës parashikohet dënim nga 6 muaj deri në 5 vjet burg, si dhe mundësia e shkarkimit nga detyra të një individi e ndalimi i veprimtarisë politike. Pas dënimit, Dodik iu tha mbështetësve të mbledhur para Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërspka se “nuk ka arsye për shqetësim”.

Po ashtu, deklaroi se Asambleja e entitetit serb do të ndërmarrë disa vendime, përfshirë atë që të refuzohet procesi në Gjykatën e Bosnjës dhe të “ndalohet puna e Prokurorisë në territorin e Republikës Sërpska”.

Vendimi i dytë është ndalimi i zbatimit të vendimeve të Gjykatës së Bosnjës në territorin e Republikës Sërpska. Do të miratohet një ligj që pritet të ndalojë veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij Prokurorial të Bosnjës e të formimit të këtyre institucioneve në nivel entiteti. Kundër dënimit të Dodikut janë shprehur udhëheqësit në Serbi, të cilët e kanë cilësuar si “sulm ndaj serbëve”.