E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë psikologia Bona Miekley, për të folur më shumë për konceptin e dashurisë. A beson ajo tek shpirti binjak dhe pse njerëzit dashurohen me një narcist?
Sa herë mund të dashurojë një njeri gjatë gjithë jetës?
Unë mendoj se përpara se t’i përgjigjemi kësaj pyetje, të kuptojmë se kush është dashuria e vërtetë. Unë mendoj se njeriu dashuron një herë, sepse dashuria i ka bazat tek sakrifica. Nëse ti ke parë tek personi tjetër që sakrifikon për ty, që duron për ty, pa marrë asgjë mbrapsht, ajo është dashuri. Sot në shoqërinë tonë, njerëzit në bazë të marrëdhënieve të tyre, normalisht e rigjejnë dashurinë por në mënyra të ndryshme. Por e vërteta është një dashuri e pakushtëzueshme që dhuron gjithçka në këmbim të asgjëje.
Ti beson tek shpirti binjak?
Patjetër që besoj tek shpirti binjak.
Pse dashuritë e mëdha ndodhin vetëm njëherë në jetë dhe pse janë të destinuara të mos përfundojnë bashkë?
Mendo pak një puzzle. Në puzzle, për të pasur atë fotografinë e bukur, janë këto pjesë të ndryshme që ti duhet t’i vendosësh në mënyrën e duhur, në boshllëkun e një puzzle ti e mbush me një puzzle tjetër. Shpirti binjak është kur njëri plotëson tjetrin, pra boshllëku i njërit person, mbushet nga plotësia e tjetrit. Kjo është ajo që unë e quaj shpirtin binjak, kur ne shikojmë nevojën e tjetrit dhe mundohemi ta plotësojmë dhe personi tjetër bën të njëjtën gjë me ty.
Pse nuk përfundojnë bashkë?
Unë mendoj që shpeshherë marrëdhëniet përfundojnë për shkak se nuk ushqehen. Ka konflikte, ka shumë shkaqe që ndërpritet një marrëdhënie shumë e bukur. Askush nuk është i përsosur. Ne mundohemi në marrëdhënien tonë, e mitizojmë atë marrëdhënie dhe themi që do jemi së bashku deri në fund të jetës sonë, por marrëdhëniet e suksesshme nuk janë ato marrëdhënie që nuk kanë probleme. Marrëdhëniet e suksesshme dhe afatgjata janë ato që kanë probleme dhe dinë të përballojnë konfliktin dhe zgjidhjen, dinë të ringrihen.