E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë psikologia Bona Miekley, për të folur më shumë për konceptin e dashurisë. A beson ajo tek shpirti binjak dhe pse njerëzit dashurohen me një narcist?
A e ngatërrojmë shpesh dashurinë e vërtetë nga varësia emocionale?
E ngatërrojmë. Varësia emocionale bazën e ka tek frika, frika nga braktisja. Në momentin që ti kupton që ke një lloj frike që personi tjetër do largohet, ti fillon të kesh frikë, sepse ti e di që personi tjetër nuk po të jep empatinë, nuk po të jep atë sigurinë, në momentet e konfliktit shmanget. Ti ke frikë të flasësh rreth një emocioni tënd, të jesh i vërtetë. Dhe ti nga frika se mos braktisesh nga një person, ti vendos një identitet tjetër, në mënyrë që të shmangësh atë braktisje dhe të pranohesh nga personi tjetër.
Nga vjen frika nga braktisja?
Ka disa arsye. Në radhë të parë janë disa pika shumë të forta që lidhen me fëmijërinë tonë. Janë disa histori të fëmijërisë dhe të adoleshencës që lidhen me njerëzit tonë më të dashur, që mund të jenë prindërit tanë. Mund të jetë nga babai, mund të jetë nga nëna. Njerëzit kanë personalitete të ndryshme dhe unike, ka nga ata që janë ‘people pleaser’, që janë ata njerëz që duan t’u pëlqejnë të tjerëve, sepse duke u pëlqyer të tjerëve ndihen të pranuar. Pra nuk e gjejnë vetëbesimin se kush janë në të vërtetë, sepse ndoshta nuk e kanë krijuar akoma figurën e vërtetë se kush janë. Një njeri që ka një vetëbesim tek cilësitë e veta, tek uniciteti i vet, çfarëdo lloj gjëje që të tjerët mund të reagojnë, qoftë ky bashkëshorti, qoftë një i dashur, qoftë shoqja apo mikesha, do qëndrojnë të fortë në cilësinë e tyre.