Sir David Beckham ka folur hapur për stilin e tij të prindërimit në një intervistë emocionale, ndërsa raportet me djalin e madh, Brooklyn, mbeten të tensionuara.
Në podcastin “This Life of Mine” me James Corden, David tregoi se ai ndjek një qasje krejt ndryshe nga “disiplina e ashpër” që kishte babai i tij.
Ai u shpreh:
Jam rritur me vlera të forta dhe të njëjtat ia kam mësuar fëmijëve të mi. Janë të sjellshëm, të edukuar dhe të përulur. Kjo është gjëja për të cilën jam më krenar si baba.

Konflikti me Brooklyn, 26 vjeç, u përshkallëzua pasi ai dhe bashkëshortja Nicola Peltz munguan në 50-vjetorin e David në maj.
Së fundmi, Brooklyn u vu re se mungoi edhe në ceremoninë ku Beckham u nderua me titullin “Sir”, dhe nuk kontaktoi as për t’i uruar.
David, 50 vjeç, tha se edhe pse është “më i butë” se babai i tij, ai ka mënyrat e veta për të vendosur kufij. Ai tregoi me humor se si i kishte premtuar djalit Cruz një McDonald’s nëse do të luante mirë në ndeshje, por plani ndryshoi kur e gjeti atë “duke bërë breakdance në cep të fushës”.
Beckham foli edhe për bashkëshorten Victoria, duke e cilësuar “forcën e familjes” dhe duke theksuar se pas kaq shumë vitesh martese “ende pëlqejnë të jenë bashkë, të qeshin dhe të ndajnë momente të qeta”.
Ndërkohë, raportet me Brooklyn mbeten të ftohta, me burime që thonë se ai është distancuar nga familja që prej martesës me Nicola Peltz.