Dëme kolosale duket të jenë shkaktuar nga zjarri i madh në tregun e rrobave dhe mallrave të ndryshëm në lagjen “5 Maji” në Tiranë, mbrëmjen e të enjtes.
Pas 4 orësh, flakët u vunë nën kontroll, për të shkuar drejt fikjes. Pasojat përfshijnë të paktën 50 subjekte që ushtronin veprimtari tregtare dhe që u dogjën në dy kapanone. Por, fatmirësisht nuk ka të lënduar.
Në ndihmë të zjarrfikësve të kryeqytetit shkuan edhe të Vorës, Kamzës dhe Elbasanit e gjithashtu nga forca të ushtrisë.
Ndërkaq, efektivë të Policisë së Shtetit, evakuuan përkohësisht banorë të zonës përreth për arsye sigurie.
Si shkak i flakëve masive dyshohet të ketë qenë një defekt në rrjetin e energjisë elektrike, ndërsa kreu i Shërbimit Zjarrfikës në Tiranë, Shkëlqim Goxhaj, shprehu bindjen se nuk ka tregues që zjarri masiv të ketë qenë i qëllimshëm.