Paraqitja e Demi Moore në sfilatën e Gucci gjatë Milan Fashion Week u kthye menjëherë në temë diskutimi, falë një transformimi që shumë e cilësuan të papritur.
Në prezantimin e parë madhor të drejtorit të ri krijues Demna Gvasalia për sezonin vjeshtë/dimër 2026, aktorja u shfaq me një prerje të shkurtër bob me efekt të lagur dhe syze të mëdha, duke ndryshuar ndjeshëm nga imazhi i saj klasik me flokë të gjatë. Për shumë të pranishëm, ajo ishte pothuajse e panjohur.
Look-u i saj sillte ndër mend estetikën e fillimit të viteve 2000: kostum i zi, xhaketë e ngushtë lëkure dhe pantallona shumë të ngushta po prej lëkure.
Kombinimi rikujtoi menjëherë stilin ikonik që dikur mbanin Victoria Beckham dhe David Beckham në epokën e artë të Gucci-t.
Aktorja e kompletoi paraqitjen me një çantë të strukturuar, syze me kornizë të mprehtë dhe një qëndrim plot vetëbesim.
Në event, ajo u shfaq edhe me qenin e saj të vogël Pilaf, të cilin e mbajti në prehër teksa pozonte për fotografët.
Gjatë mbrëmjes, Moore u pa gjithashtu në një moment miqësor me Donatella Versace.
Shfaqja e titulluar “Primavera” shënon nisjen e një epoke të re për Gucci-n, pas marrjes së drejtimit krijues nga Demna në korrik 2025.
Koleksioni u frymëzua fort nga atmosfera e viteve ’90 dhe ndikimi i Tom Ford në atë periudhë, por i filtruar përmes një qasjeje moderne dhe eklektike.
Në pasarelë dominuan fustanet mini të ngushta dhe me shkëlqim, materialet transparente, printimet e guximshme, motivet ikonike Flora dhe zinxhirët e trashë si aksesorë statement, një përzierje mes luksit klasik dhe provokimit bashkëkohor.
Me këtë paraqitje, Demi Moore jo vetëm që riktheu nostalgjinë e viteve 2000, por dëshmoi edhe një herë se di si të surprizojë publikun në çdo dalje të saj.