Sport

Derbi i shkon “djajve”, Guardiola i dëshpëruar: Nuk jam i mirë mjaftueshëm

Derbi i Mançesterit, City-United, një nga sfidat më të nxehta të futbollit anglez, i gjeti dy ekipet në pozita shumë të vështira, një derbi krize. Tifozët i City i kishin dedikuar Pep Guardiola-s një banderolë gjigande, duke i dalë në krah në momentin e tij më të vështirë në krye të “qytetarëve”.

Fati dukej se ishte me City, pasi kaluan të parët në avantazh, me Gvardiol që me kokë dërgoi topin në rrjetë në minutën e 37-të. Në mënyrë të çuditshme, por e kthyer në trend kohët e fundit, ekipi i Guardiola-s u “fik” sërish në fraksionin e dytë, duke humbur terren minutë pas minute.

LEXO EDHE: VIDEO/ Nedim Bajrami i shënon Celtic në derbi, i jep avantazhin Rangersit në finale
United mori kontrollin e lojës dhe në minutën e 88-të fituan një 11-metërsh. Nga pika e bardhë, Bruno Fernandes u tregua i saktë duke barazuar shifrat në 1-1. United nuk u mjaftuan me kaq, por në minutën e 90-të, Diallo u shkëput shpejt, kaloi dhe portierin Ederson duke dërguar topin në rrjetë, një gol me shumë peshë që i dhuroi “djajve të kuq” suksesin në derbin e Mançesterit.

Në përfundim të ndeshjes, Pep Guardiola nuk bëri lojëra fjalësh, por pranoi momentin e vështirë: “Nuk ka shumë për të thënë. Nuk kemi pësuar 8 humbje në dy sezonit e fundit të marra së bashku. Nuk mund ta mbrosh dot këtë fakt. Rezultatet nuk janë të mira, e njoh situatën, e kuptoj realitetin. Mbase nuk jam trajner i mirë mjaftueshëm. Unë jam shefi, duhet të gjejë zgjidhje, deri më tani nuk kam mundur t’i gjejë. Ky është realiteti”, u shpreh i dëshpëruar Guardiola.

Nuk e fshehu gëzimin për këtë fitore në derbi, Ruben Amorim: “Ishte e jashtëzakonshme. Mendoj se e merituam. Ishte një ndeshje shumë e vështirë, por besuam deri në fund. Kishim nevojë për këtë fitore, ishte e rëndësishme për ne dhe për tifozët”, u shpreh Amorim.

LEXO EDHE: Leganes trondit Barcelonën, Atletico Madrid futet në garë për titull

Me 27 pikë në 16 javë, Man.City renditet në vendin e 5-të, ndërsa United me 22 pikë në vendin e 13-të.

Premier League përcillet LIVE në Digitalb.