Dermatologët e konsiderojnë vitaminën A si përbërësin më të fuqishëm kundër plakjes dhe falë formulave të reja, tani edhe lëkurat e ndjeshme mund të përfitojnë prej saj. Nëse flisni me çdo dermatolog, rekomandimi i parë për kujdesin ndaj lëkurës është gjithmonë mbrojtja nga dielli. I dyti? Me shumë gjasë, vitamina A, përbërësi më i provuar shkencërisht për efektet kundër plakjes.
Edhe pse mund të mos e njihni me këtë emër, ndoshta keni dëgjuar për retinol ose retinal, që përdoren shpesh në serumet apo kremrat e fytyrës. (Forma më e fortë, tretinoina, përshkruhet vetëm me recetë nga mjeku.) Të dyja, si retinoli ashtu edhe retinali, ndihmojnë në zvogëlimin e rrudhave, njollave dhe linjave të holla, si dhe përmirësojnë strukturën e përgjithshme të lëkurës. Madje ndihmojnë edhe në rastet me akne, pasi përshpejtojnë rigjenerimin qelizor.
Ata që kanë lëkurë të ndjeshme janë të njohur me thashethemet rreth përdorimit të acideve të forta kozmetike. Madje, disa prej tyre e kanë përjetuar vetë dëmin dermatologjik nga përdorimi i një game të gjerë përbërësish eksfoliantë, si retinoli. Por çfarë ndodh kur dëshironi të përfitoni nga ky përbërës i artë i kujdesit të lëkurës? A mund të përdoret retinoli në lëkurën e ndjeshme? Retinolet e forta dhe produktet e formuluara dobët i kanë dhënë këtij përbërësi një reputacion të keq, por kjo nuk nënkupton se janë të ndaluara plotësisht për lëkurën e ndjeshme. “Retinoli mund të përdoret edhe në lëkurë të ndjeshme, por është më mirë të filloni me përqendrime më të ulëta, të përdorni formulime më të pasura dhe të hidratuara dhe ta shtoni përdorimin gradualisht me kalimin e kohës,”-thotë dermatologia, Dr. Alexis Granite.
Një retinol i përqendrimit të ulët mund të jetë afërsisht 0.1% si fillim. “Përqindjet e retinolit zakonisht variojnë midis 0.3% dhe 1% për fytyrën,”-sqaron dermatologia. Kushtojini vëmendje përbërësve të tjerë në formulim dhe sasisë që aplikoni. Disa produkte janë krijuar posaçërisht me përbërës qetësues për të shmangur acarimin, si ceramidet dhe acidi hialuronik. Etiketat e produkteve do t’ju tregojnë saktësisht sa të aplikoni, kur dhe në cilën pjesë të rutinës suaj.