Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot dështuan për të 40-ën herë radhazi, që të konstituojnë përbërjen parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Po ashtu, hera e tretë që deputetët nuk arritën asnjë progres në konstitutimin e Kuvendit që nga shpallja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që iu la afat deri më 26 korrik.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nisma Socialdemokrate, si dhe Lista Serbe, që nga 1 maji po refuzojnë të propozojnë anëtarë për një komision që do të mbikëqyrte një votim të fshehtë për kryeparlamentarin e ri.
Ato thonë se ndryshimi i votimit nga i hapur në të fshehtë nuk është kushtetues, si dhe argumentojnë se kështu thuhet nga Gjykata Kushtetuese.
Në vend që të propozonin anëtarin për komisionin, PDK-ja dhe LDK-ja, sot kërkuan nga kryesuesi i seancës së konstituimit, Avni Dehari, që të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Partia e Deharit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), këmbëngul se votimi i fshehtë lejohet.
Pasi u shpreh Kushtetuesja, kreu i LVV-së, Albin Kurti, ftoi në takim drejtuesit e partive politike. Por, edhe pas dy orësh bisedime të shtunën e 28 qershorit, ata nuk arritën një marrëveshje për të dalë nga ngërçi.
Kurti vuri në dukje se ka ofruar kompromise, por partitë që në mandatin e kaluar ishin në opozitë, thanë se takimi i organizuar prej tij ishte “farsë”, duke shtuar se kreu i partisë fituese të zgjedhjeve po insiston në pozicionet paraprake.
Për të ofruar një zgjidhje të mundshme, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri të ditur dje se në ditët në vijim do të ftojë liderët e subjekteve politike për konsultime lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit. Osmani iu ka bërë thirrje deputetëve që të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Nëse paraqitet nevoja, presidentja mbetet e gatshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë, deklaroi këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina.