Për bashkitë me probleme financiare dhe për ato me detyrime të prapambetura, deri dje ishte afati i fundit që të përfundonin hartimin e planit të shlyerjes së borxheve. Më herët, ministri i Financave, Petrit Malaj iu pati kërkuar ta paraqisnin pranë dikasterit që drejton planin e rehabilitimit financiar, pasi ta miratonin në këshillat bashkiakë. Ky plan duhet të sigurojë ecurinë e shlyerjeve të borxheve brenda 12 muajve.
Për vitin e kaluar, niveli i detyrimeve të prapambetura për 61 bashkitë në rang vendi, arriti në rreth 3,2 miliardë lekë apo rreth 33 milion euro sipas të dhënave të publikuara në raportin “Qeverisja vendore në Shqipëri- Raport mbi situatën 2024”, i Institutit për Bashkitë e Shqipërisë.
Krahasuar me 2023-shin, detyrimet e prapambetura të krijuara nga pushteti vendor kanë zbritur në vlerën e 1,5 miliardë lekëve apo 32,8% më pak. Por, pavarësisht tendencës rënëse të totalit të vlerës së detyrimeve të prapambetura, paraqitet mikse ecuria me shlyerjen e tyre për secilën bashki.
Më 2024-ën, nga të dhënat e raportit, evidentohet se 14 bashki kanë shtuar vlerën e detyrimeve të prapambetura, ndërsa të Këlcyrës, Patosit e Mallkastrës nuk kanë krijuar detyrime të prapambetura të reja. Po ashtu, në vështirësi financiare paraqiten bashkitë Kavajë, Vorë, Cërrik, Dimal.
Referuar ligjit “Për financat vendore”, “nëse niveli i detyrimeve të prapambetura është më i lartë se 25% e shpenzimeve që bashkitë kanë bërë me burimet e veta, ato konsiderohen në vështirësi financiare”.
Nga totali i shpenzimeve që Bashkia Kavajë bëri më 2024-ën me burimet e veta, rreth 59% e tyre janë me borxhe të papaguara. Në Vorë, shpenzimet me borxhe zënë 40%, në Dimal rreth 33 e në Cërrik afro 37%.
Pavarësisht se vlerat relative të detyrimeve të prapambetura për këto bashki janë poshtë nivelit prej 80% të kufirit ligjor të lejuar në raport, rekomandohet se këto Bashki duhet të bëjnë përpjekje më të mëdha si në kahun e të ardhurave dhe në atë të shpenzimeve për të ulur më tej këtë nivel të lartë detyrimesh përgjatë vitit 2024 e në vijim.
Për dy bashkitë Kavajë e Vorë që paraqiten në situatën e vështirësisë serioze financiare, raporti i Institutit për Bashkitë e Shqipërisë thotë se sipas ligjit “Për financat vendore”, hapat që parashikohen për të mundësuar daljen nga vështirësitë janë:
Ministria e Financave, me marrjen e njoftimit nga kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore ose kur e konstaton vetë, i propozon Këshillit të Ministrave masat për daljen nga situata e vështirësisë serioze financiare.
Në këtë rast, Këshilli i Ministrave vendos:
a) të japë mbështetje financiare në formën e ndihmës apo huas, duke përcaktuar edhe planin për daljen e njësisë së vetëqeverisjes vendore nga situata e vështirësisë serioze financiare, si dhe planin e kthimit të shumës së dhënë;
b) të mandatojë Ministrinë e Financave për të negociuar ristrukturimin e borxheve e të detyrimeve të papaguara;
c) të shpallë njësinë e vetëqeverisjes vendore në mbikëqyrje financiare dhe të autorizojë Ministrinë e Financave si mbikëqyrës financiar të saj, duke respektuar rigorozisht këto kushte:
i) njësia e vetëqeverisjes vendore nuk mund të marrë asnjë vendim që mund të çojë në shtimin e detyrimeve të saj financiare;
ii) njësia e vetëqeverisjes vendore nuk mund të vendosë shërbime të reja publike, të themelojë sipërmarrje publike apo çdo institucion tjetër;
iii) njësia e vetëqeverisjes vendore nuk mund të shlyejë asnjë detyrim financiar, të krijuar para shpalljes së rastit të vështirësisë financiare, përveç detyrimeve të përcaktuara shprehimisht në planin e rehabilitimit financiar.
Nga Kavaja, Tirana deri te Pogradeci, 10 bashkitë mbajtëse kryesore të borxhit:
10 bashkitë kryesuese me borxhin më të madh, si përqindje e totalit të detyrimeve të prapambetura janë e Kavajës dhe Tiranës pasuar nga Pogradeci, Vora, Rrogozhina, Dimali, Dibra, Cërriku, Peqini e Mati.
Pesha e borxhit të Bashkisë së Kavajës kundrejt totalit është 23%, e Tiranës 18%. Më pas e ndjekur nga Bashkia e Pogradecit me peshë 7,5% kundrejt totalit, Vora (4,8%), Rrogozhina (5%), Dimali (4,5%), Dibra (4%), Cërriku (3,6%), Peqini (2,5%) dhe Mati (2,4%).
Në vitin 2024 konstatohet se 14 prej 61 bashkive e kanë shtuar vlerën e detyrimeve të prapambetura në raport me vitin paraardhës.
Spikasin Bashkia Rrogozhinë (+83.1 milion lekë apo rreth 107% më shumë se 2023), Bashkia Mat (+49.3 milion lekë apo 189% më shumë se në vitin 2023) dhe Bashkia Berat (+47.6 milion lekë apo 257% më shumë se 2023-shi).
Nga ana tjetër, vërehet ecuri pozitive në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura nga Bashkia Durrës (-266.8 milion lekë apo 85,6% më pak se në vitin 2023), Bashkia Tiranë (-217.7 milion lekë apo 28% më pak se më 2023-shin), Bashkia Vorë (-209.5 milion lekë apo 58% më pak se më 2023-shin), Bashkia Lezhë (-119 milion lekë apo 70% më pak se në vitin 2023) dhe Bashkia Elbasan (-107.5 milion lekë apo 87% më pak se nga 2023-shi).
Për të katërtin vit radhazi, bashkitë Këlcyrë e Patos nuk krijojnë asnjë detyrim të prapambetur ndaj palëve të treta. Pjesa më e madhe e detyrimeve të pashlyera janë për energjinë.
Pjesa më e madhe e detyrimeve të pashlyera nga 61 bashkitë në rang vendi për 2024-ën rezulton se është për zërin e shpenzimeve “Të tjera” ku pjesën dërrmuese e zënë detyrimet e prapambetura të energjisë elektrike të njësive të qeverisjes vendore ndaj OSHEE sh.a.
Për zërin “Të tjera”, detyrimet e parapambetura zënë një total prej 1.05 miliardë lekësh apo rreth 33% të totalit të borxheve. Ndaj palëve të treta, detyrimet për projekte të investimeve publike (933 milion lekë) vijojnë të kenë një peshë prej 29,2% në totalin e detyrimeve të prapambetura në këtë periudhë.
Ndërkohë që detyrimet që burojnë nga shërbimet e kryera nga palë të treta kapin vlerën e 527 milion lekëve, si dhe për vendime gjyqësore 316 milion lekë apo 10% të totalit të borxhit. /Monitor