Aktualitet

Vendorët ulën 20% borxhet më 2023-shin/Vetëm 55 bashki pa probleme financiare!

Në rang vendi, detyrimet e prapambetura për 2023-shin nga 61 bashkitë, u ulën me rreth 20% krahasuar me vitin 2022, sipas një raporti të Institutit të Bashkive të Shqipërisë. Për vitin e kaluar, totali i detyrimeve të prapambetura arrin në vlerën e 4,75 miliardë lekëve, kundrejt vlerës prej 5,9 miliardë lekësh.

Pavarësisht ecurisë për reduktimin e detyrimeve të prapambetura, 14 prej 61 bashkive e kanë shtuar vlerën e detyrimeve të prapambetura ku spikasin Bashkia Durrës (+201 milion lekë), Bashkia Lezhë (+75.4 milion lekë), Bashkia Elbasan (+74.3 milion lekë) dhe Bashkia Klos (+53.7 milion lekë).

Nga ana tjetër, vërehet ecuri pozitive në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura nga Bashkia Tiranë (-391.6 milion lekë), Bashkia Dibër (-219.6 milion lekë), Bashkia Kuçovë (-156.5 milion lekë) dhe Bashkia Pustec (-145.9 milion lekë).

Vlen të përmendet fakti që Bashkia Këlcyrë dhe ajo Patos, për të tretin vit radhazi, nuk krijojnë asnjë detyrim të prapambetur ndaj palëve të treta.

Sipas raportit nga 10 bashkitë me borxhin më të madh, si përqindje e totalit të detyrimeve të prapambetura, kryesojnë bashkitë e Kavajës e Tiranës, që secila kanë mbi 16.5% të totalit të borxhit, pasuar nga Vora (7.6%), Durrësi (6.6%), Pogradeci (4.7%) dhe bashkitë e Dibrës, Lezhës, Dimalit, Kamzës e Cërrikut. 16.7% 16.6% 7.6% 6.6% 4.7% 3.6% 3.6% 3.5% 2.9% 2.8%.

5 bashki në vështirësi financiare, një me probleme financiare

Në raport me shpenzimet faktike të kryera nga 61 bashkitë nga burimet e veta, evidentohet se 5 nga 61 bashkitë e marra në analizë ndodhen në situatën e Vështirësisë Financiare të përcaktuar në nenin 56 të ligjit nr.68 datë 27.04.2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, duke qenë se detyrimet e prapambetura të tyre e tejkalojnë kufirin e 25% të shpenzimeve vjetore. 5 bashkitë në vështirësi financiare janë të Cërrikut, Kavajës, Klosit, Dimalit e Vorës. Ndërkaq, Bashkia Memaliaj është me probleme financiare.

Pavarësisht se vlerat relative të detyrimeve të prapambetura për bashkitë Kavajë (76.7%) dhe Vorë (50.9%) janë poshtë nivelit prej 80% të kufirit ligjor të sipërcituar, në raport theksohet se këto bashki duhet të bëjnë përpjekje më të mëdha, si në kahun e të ardhurave dhe në atë të shpenzimeve, për të ulur më tej këtë nivel të lartë detyrimesh përgjatë vitit 2024 e në vijim.

Gjysmën e totalit të detyrimeve të bashkive e zënë ato për investime

Detyrimet e pashlyera për projekte në investime vijojnë të përbëjnë peshën më të lartë të totalit të borxhit. Sipas raportit, vlerësohet se në analizën e komponentëve kryesorë të detyrimeve të prapambetura të evidentuara deri në fund të 2023-shit, vërehet se gati gjysmën e totalit të detyrimeve të prapambetura e zënë detyrimet ndaj palëve të treta për projekte të investimeve publike (2.25 miliardë lekë).

Detyrimet që burojnë nga shërbimet e kryera nga palë të treta, si dhe për vendime gjyqësore kapin 539 milion e 342 milion lekë respektivisht. Në zërin “Të tjera”, me një total prej 1.2 miliardë lekë, pjesën dërrmuese e zënë detyrimet e prapambetura të energjisë elektrike të NJQV ndaj OSHEE sh.a./Monitor