Aktualitet

Dha dëshmi të rreme për vrasjen e motrës, zbutet masa ndaj 54-vjeçares dhe bashkëshortit të saj!

Gjykata e Apelit vendosi detyrim paraqitjeje për çiftin Agustin e Valbona Prenga, të arrestuar se dhanë dëshmi të rreme në gjykatën e Lezhës mbi dy vrasje të ndodhura 29 vite më parë. Ata ishin thirrur për të treguar se çfarë ndodhi gjatë vrasjes më 1997-ën të Ardian e Majlinda Gjergjit, motra e Valbonës.

Të dy konsiderohen dëshmitarë okularë se patën deklaruar se kishin parë Gjovalin Lesin duke qëlluar me armë zjarri. Por, ndryshe nga çfarë rrëfenin në atë kohë, në gjykatë, të dy bashkëshortët këmbëngulën se nuk ishin prezentë dhe se nuk dinin gjë.

Sipas të dhënave gjyqësore, i akuzuari Gjovalin Lesi, i dënuar në mungesë me burg të përjetshëm iu dorëzua Shqipërisë vitin e kaluar. Për këtë shkak, vendimi po rishikohet.

Ai akuzohet se gjatë një konflikti vrau Ardian e Majlinda Gjergjin. Bashkëshortët Prenga të dyshuar për dëshmi të rreme, morën masë ndalimi për të dalë jashtë vendit, por kërkuan të vendosej garanci pasurore pasi jetojnë në Greqi dhe gruaja mbahet nën trajtim mjekësor në shtetin fqinj.

Apeli mbajti parasysh rrethanat shëndetësore e të tjera. Ndërkaq, pranoi lehtësimin e masës, për faktin se çiftit nuk duhet t’i cënohet jetesa normale në Greqi, përsa kohë vepra për të cilën po hetohen nuk është e rëndë.