Shërbimet emergjente të Izraelit njoftuan se të paktën gjashtë persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në një sulm me raketa nga Irani në Beit Shemesh. Pati viktima kur raketat goditën një objekt në qytetin që ndodhet rreth 40 kilometra në perëndim të Jerusalemit.
Në Emiratet e Bashkuara Arabe, zyrtarët njoftuan gjithashtu se tre persona janë vrarë dhe 58 të tjerë mbetën të plagosur që kur Irani nisi sulmet në rajonin e Gjirit Persik, si përgjigje ndaj operacioneve ushtarake të SHBA-ve dhe Izraelit.
Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe tha se ky vend ka detektuar 165 raketa balistike, 152 prej të cilave janë shkatërruar, si edhe 541 dronë iranianë. 506 u shkatërruan.
Sipas njoftimit të këtij dikasteri, sulmet rezultuan me vdekjen e tre personave me shtetësi nga Pakistani, Nepali e Bangladeshi.
Zyrtarët në Kuvajt njoftuan gjithashtu për vrasjen e një personi e plagosjen e 32 të tjerëve, po nga sulmet e Iranit.
Ministria e Jashtme e Republikës Islamike ka theksuar se do të vazhdojë rruga e Ajatollah Ali Khamenei-t, liderit suprem të Iranit të vrarë dje nga sulmet amerikane dhe izraelite.
Teherani zyrtar i ka dënuar ashpër këto sulme, pavarësisht se ishin duke u zhvilluar bisedime diplomatike mes Teheranit e Uashingtonit mbi programin bërthamor iranian.
Sulmet e fundit u ndërmorën në kohën kur Omani po ndërmjetësonte bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Raundi i fundit i bisedimeve është mbajtur më 26 shkurt, pra tre ditë më parë.