Bota

Sulmet e Iranit ndaj vendeve të Gjirit, Katari: Një gabim i rrezikshëm, të ulen tensionet!

Kryeministri i Katarit, Sheiku Mohammed bin Abdulrahman al Thani, dënoi sulmet e Iranit ndaj vendeve të Gjirit si një “gabim të rrezikshëm”, duke paralajmëruar se përshkallëzimi mund të destabilizojë rajonin dhe të shkaktojë tronditje në ekonominë globale.

Në intervistën e parë për mediat që nga fillimi i sulmeve të përsëritura me raketa dhe dronë ndaj Katarit, kryeministri i tha Sky News-it se vendi po kalonte “një periudhë shumë të vështirë”, por vlerësoi profesionalizmin e forcave të tij të mbrojtjes dhe sigurisë.

Është një ndjenjë e madhe tradhtie. Vetëm një orë pas fillimit të luftës, Katari dhe vendet e tjera të Gjirit janë sulmuar. Ne e bëmë të qartë se nuk do të merrnim pjesë në asnjë luftë kundër fqinjëve tanë.

Katari ka mbajtur prej kohësh kanale diplomatike të hapura me Teheranin, edhe gjatë momenteve më të tensionuara, por tani marrëdhënia duket e tendosur.

Ne gjithmonë kemi përpjekur të ruajmë një marrëdhënie të mirë me Iranin, por justifikimet dhe pretekstet që ata po përdorin hidhen poshtë plotësisht.

Përshkallëzimi ushtarak do të përkeqësonte krizën dhe se përgjegjësia për t’u tërhequr është e të gjitha palëve. Ne vazhdojmë të kërkojmë qetësim të situatës. Ata janë fqinjët tanë, është fati ynë.

Mesazhi i kryeministrit nuk i drejtohej vetëm Iranit teksa i bëri thirrje edhe SHBA-ve të ulin tensionet, duke paralajmëruar për rrezikun që i gjithë rajoni të zhytet në konflikt.

Diplomacia mbetet rruga e vetme për të dalë nga kriza.

Po ashtu, kundërshtoi pretendimet se sulmet kishin qëllime ushtarake, duke theksuar se 25% e tyre kishin në shënjestër objektet civile, përfshirë aeroportet ndërkombëtare, shërbimet e ujit dhe infrastrukturën e gazit.

Kryeministri paralajmëroi për pasojat globale:

Katari furnizon afërsisht 20% të gazit në botë. Çdo ndërprerje e vazhdueshme do të ndikonte në tregjet globale, furnizimet me ushqim dhe njerëzit në të gjithë botën. Edhe pse vendet e Gjirit insistojnë se nuk janë pjesë e luftës, tashmë janë në vijën e frontit të saj.