Lionel Messi ka përmbyllur turneun e tij të parë në Indi, një vizitë që përfshiu katër qytete të mëdha dhe përvoja të pazakonta. Ndalesa e fundit e yllit argjentinas ishte Vantara, qendra e shpëtimit dhe ruajtjes së jetës së egër, e themeluar nga Anant Ambani.
Gjatë kësaj vizite, vëmendjen e rrjeteve sociale e morën fotografitë ku Messi shihet duke mbajtur në dorë një orë jashtëzakonisht të rrallë dhe luksoze: Richard Mille RM 003-V2 GMT Tourbillon “Asia Edition”, me një vlerë që kalon 1.1 milion dollarë.
Më pas u zbulua se ora ishte një dhuratë personale nga Anant Ambani, djali i njeriut më të pasur në Indi. Bëhet fjalë për një model tepër ekskluziv, i prodhuar në vetëm 12 copë në të gjithë botën, çka e bën atë një nga orët më të rralla në qarkullim.
Ora spikat për dizajnin e saj unik, ku disku prej safiri krijon një efekt ndriçues për numrat e zinj mbi sfondin e bardhë. Mekanizmi i avancuar siguron saktësi maksimale, duke reduktuar ndjeshëm ndikimin e gravitetit në funksionimin e saj.

Ekskluziviteti i kësaj ore reflektohet edhe nga pronarët e saj, një listë elitare që përfshin Sulltanin e Bruneit, Hassanal Bolkiah, pilotin e Formula 1 Mick Schumacher dhe ish-presidentin e FIA-s, Jean Todt. Tashmë, edhe Lionel Messi është pjesë e këtij rrethi tepër të kufizuar.
Me këtë dhuratë luksoze, legjenda e futbollit jo vetëm që e mbylli vizitën e tij në Indi në mënyrë mbresëlënëse, por shtoi edhe një tjetër simbol prestigji në koleksionin e tij personal.