Kërkoni një dhuratë dasme që do t’ju japë titullin “i ftuari më i mirë” për sezonin e dasmave të vitit 2025? Më poshtë, janë disa këshilla mbi mënyrën më të mirë për të zgjedhur dhuratën e përsosur për çiftin e sapomartuar.
Mendoni ndryshe dhe jashtë listës së regjistrimit
Blerësja Joey Germaine, duke e cilësuar këtë si një sfidë të re në zgjedhjen e dhuratave të dasmës, thotë:
Meqenëse njerëzit po martohen në një moshë më të avancuar, kohët e dhuratave si tosterët dhe ibrikët janë lënë pas, shumica e çifteve tashmë kanë gjithçka që u nevojitet në shtëpi. Në mungesë të opsioneve klasike të regjistrimit, të ftuarit duhet të mendojnë më kreativisht, duke zgjedhur diçka të freskët, por gjithmonë në përputhje me stilin estetik të çiftit.
Jepni përparësi qëndrueshmërisë, por shtoni edhe elementin e papritur
Germaine vijon:
Zakonisht preferoj dhurata që kanë jetëgjatësi, që çifti t’i mbajë në shtëpi për dekada. Një zgjedhje e përhershme për mua janë pajisjet prej argjendi të markës Christofle. Ato ofrojnë opsione të përdorshme, por unë parapëlqej të dhuroj luksin e papritur që zakonisht nuk do e bleje vetë dikush, si setet për servirje kaviari apo shkopinjtë e argjendtë për sushi, të përkryer për të shtuar elegancë edhe tek një darkë e zakonshme.
Për tradicionalistët, zgjidhni dhurata klasike dhe që bëhen trashëgimi
Germaine shton:
Të qëndrosh te siluetat klasike dhe ngjyrat neutrale është gjithmonë një zgjedhje e sigurt për çiftet tradicionalë. Unë do të sugjeroja setet e bardha prej porcelani dhe filxhanët e ekspresit nga L’Objet, ose një vazo mbresëlënëse nga Astier de Villatte.
Redaktorja e blerjeve, Abbi Minchin, pajtohet:
Të gjitha shtëpitë kanë nevojë për vazo. Madje, zakonisht më shumë se një! Veçanërisht nëse njihni mirë çiftin dhe shijet e tyre, një vazo është dhuratë perfekte. Unë i adhuroj vazot e Louise Roe, ato kombinojnë modernen me tradicionalen dhe kanë një cilësi si prej epokash të kaluara. Edhe historia e markës është e rëndësishme: Christofle ka një trashëgimi të pasur, çka e bën ideale për tradicionalistët. Çdo objekt i tyre është një trashëgimi e ardhshme dhe një dhuratë simbolike për martesën.
Zgjidhni diçka lozonjare dhe të pazakontë
Blerësja Ella Hoyle sugjeron:
Për çiftet me shije më bashkëkohore, mendoni për funksionalitetin me një kthesë të pazakontë. Një çajnik i veshur me argjend dhe kuarc rozë nga Natalia Criado apo një set kristalesh për backgammon nga Reflections Copenhagen janë dhurata që mbeten në mendje dhe që çifti ndoshta nuk do t’i blinte vetë.
Germaine shton:
Po shohim gjithnjë e më shumë shprehje të personalitetit brenda ambienteve të shtëpisë dhe këto objekte me ‘twist’ janë mënyra perfekte për të spikatur. Për çiftet që preferojnë diçka ndryshe, do të sugjeroja filxhanët prej çeliku të stilit ‘mid-century’ nga Louise Roe, krijimet surrealiste të Gohar World apo gotat shumëngjyrëshe nga Completedworks. Janë objekte që nisin menjëherë biseda.
Për Minchin, janë detajet argëtuese ato që e veçojnë një dhuratë.
Alighieri i Rosh Mahtani-t di ta bëjë këtë në mënyrën më të bukur. Një lugë me dizajn të veçantë ose një hapëse shishesh në formë gaforreje është një prekje finale perfekte për një dhuratë martesore.
Jepini vetes kohë për të menduar
Minchin thotë:
Rregulli im i vetëm është: merr kohë për të menduar vërtet për dhuratën sepse në fund të fundit, rëndësi ka mendimi. Këshillë praktike: mbaj shënime sa herë që miqtë përmendin ndonjë dëshirë apo objekt të pëlqyer. Pyet veten: çfarë stili kanë dhe si përkthehet ai në shtëpinë e tyre? Pastaj bëj një krahasim me veten: Çfarë do të më bënte mua të ndihesha e vlerësuar si dhuratë me domethënie?”
Kushtojini vëmendje detajeve
Ajo vijon:
Ka gjithmonë mënyra për të qenë i menduar në çdo situatë dhurimi. Shiko ftesën e dasmës dhe interpretoje atë në përputhje me stilin dhe preferencat e çiftit. Mund të zgjedhësh një objekt që lidhet me paletën e ngjyrave ose frymën estetike të dizajnit. Është një mënyrë shumë personale për t’u qasur ndaj dhuratave dhe për të krijuar një histori për të treguar në të ardhmen.
Zgjidhni gjithmonë diçka që nuk dështon
Minchin sugjeron:
Çdo çift ka nevojë për një koleksion lojërash, qoftë për një mbrëmje argëtuese apo thjesht për t’i ekspozuar si dekor. Zgjidhni opsionet më luksoze nga Brunello Cucinelli apo Ralph Lauren Home. Dhe, nëse nuk jeni të sigurt, një qiri i madh dhe afatgjatë (si ato nga Diptyque apo Loewe) është gjithmonë një zgjedhje që nuk gabon.
Shtoni një prekje personale
Germaine përmbyll:
Një shënim i shkruar me dorë dhe me përmbajtje të ndjerë është gjithmonë qershia mbi tortë, ai element që e bën dhuratën tuaj të paharrueshme.