Reperi i njohur Diddy ka kaluar Ditën e Krishtlindjeve në burg, por jo i vetëm. Ai ka marrë një vizitë të veçantë nga djali i tij, Justin Combs, në Qendrën Korrektuese Fort Dix në New Jersey, ku po vuan dënimin.
Justin Combs, 31 vjeç, e vizitoi të atin të enjten, më 25 dhjetor, lajm i konfirmuar për People nga përfaqësuesi i Diddy-t, Judah Engelmeier.
Sipas tij, takimi zgjati rreth 90 minuta dhe ishte emocionalisht shumë i rëndësishëm për reperin.
Justin e vizitoi dje. Ata folën dhe ndanë lajme nga jeta e tyre, diskutuan si po përballojnë kohë të vështira, reflektuan mbi të kaluarën, çfarë kanë mësuar dhe si mund të bëjnë më mirë në të ardhmen
-u shpreh Engelmeier.
Ai shtoi se prania e familjes në Ditën e Krishtlindjeve kishte një domethënie të veçantë për Diddy-n.
Diddy u shpall fajtor në korrik për dy akuza që lidhen me transportimin e grave për qëllime prostitucioni dhe në tetor u dënua me 50 muaj burg.
Gjatë seancës gjyqësore, djali i tij Justin, që reperi e ka me stilisten Mischa Hilton, i kishte kërkuar gjykatës t’i jepte babait të tij “një shans të dytë”.
Një shans të dytë në jetë, për të ndrequr gabimet dhe për të qenë burri që është vërtet
-ishte shprehur ai, duke e përshkruar të atin si një “superhero” që, sipas tij, “ka ndryshuar për mirë”.
Justin kishte theksuar gjithashtu se beson që Diddy ka ende shumë për t’i ofruar botës dhe fëmijëve të tij.
Ndërkohë, në nëntor u raportua se reperi kishte shkelur rregullat e burgut, përfshirë pretendime se ishte parë duke konsumuar alkool të përgatitur vetë, akuza që përfaqësuesit e tij i kanë mohuar kategorikisht.
Vizita e Krishtlindjeve vjen si një moment reflektimi dhe afrimi familjar për Diddy-n, teksa ai vazhdon të vuajë dënimin pas hekurave.