Terroristët e Hezbollahut kanë paralajmëruar për “pasoja serioze” në rast se goditet udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei.
Sipas tyre, kërcënimi ndaj jetës së Khameneit është “i turpshëm” dhe përbën një fyerje ndaj qindra milionë besimtarëve myslimanë.
Ky reagim vjen në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur ndjeshëm, pas sulmeve dhe kundër-sulmeve mes Izraelit dhe grupeve të mbështetura nga Irani. Khamenei, si figura më e lartë politike dhe fetare në Iran, shihet si simboli kryesor i rezistencës iraniane ndaj presionit të jashtëm.
Hezbollahu, si aleat i fortë i Iranit në rajon, ka theksuar se çdo goditje ndaj Khameneit do të ketë pasoja të rënda, duke paralajmëruar për një përshkallëzim të mundshëm të konfliktit.
Trump duket se po tregohet gjithnjë e më i hapur për të përdorur forcën ushtarake amerikane për të goditur objektivat bërthamore iraniane, ndërsa po humbet besimin te zgjidhja diplomatike për përshkallëzimin e konfliktit me Izraelin.
Presidenti amerikan tha gjithashtu se ka folur çdo ditë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke e lavdëruar për menaxhimin e situatës.
I pyetur nëse ka marrë një vendim për ndërhyrje ushtarake në Iran, Trump u tregua i paqartë dhe enigmatik: “Ju nuk e dini nëse do ta bëj apo jo. Mund ta bëj, mund të mos e bëj. Askush nuk e di çfarë do të bëj,” tha ai, ndërsa ndodhej në ambientet e Shtëpisë së Bardhë për të ngritur një flamur të ri.