Bota

Netanyahu zotohet për hakmarrje pasi Irani sulmon një spital në Izrael

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dënoi sulmin iranian ndaj një spitali në jug të Izraelit dhe u zotua se do të kundërpërgjigjet.

Tiranët në Teheran do të paguajnë çmim të lartë.

Më herët gjatë ditës, Republika Islamike tha se objektiv kryesor i sulmeve me raketa, ku u godit spitali ishte një bazë ushtarake izraelite dhe një e Inteligjencës, e jo objekti shëndetësor.

Shënjestra kryesore ishte Komanda e Ushtrisë izraelite dhe baza e Inteligjencës [C4I e ushtrisë izraelite], kampi i inteligjencës ushtarake, që gjenden në afërsi të spitalit Soroka, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve Irna.

Sipas kësaj agjencie, sulmet direkte ishin ndaj objekteve ushtarake dhe se spitali u godit “nga vala shpërthyese”. Edhe Garda Revolucionare Islamike deklaroi se u goditën qendra komanduese të ushtrisë e Inteligjencës së Izraelit, që gjendeshin pranë spitalit.

Spitali i shënjestruar ka mbi 1 mijë shtretër dhe ofron shërbim për pothuajse 1 milion banorë në jug të Izraelit, sipas faqes online të spitalit. Zyrtarët raportuan për “dëme të mëdha”.

Qendra Shëndetësore Soroka është spitali kryesor në jug të Izraelit. Një zëdhënës i këtij spitali tha se ndërtesa ka pësuar “dëme të mëdha” në disa pika. Autoritetet në këtë qendër shëndetësore u kanë kërkuar qytetarëve të mos drejtohen për trajtim mjekësor në këtë institucion. Një tjetër raketë goditi një ndërtesë të lartë dhe disa godina banimi në Tel Aviv. Të paktën 40 persona u plagosën nga këto sulme, raportoi Shërbimi i Shpëtimit i Izraelit.