Art & Kulturë Live From Tirana

Dimri, periudha perfekte për të lexuar/Aida Baro sugjeron librat tek të cilët të ‘arratiseni’ gjatë kësaj stine!

E ftuar në “Live From Tirana” ka qenë Aida Baro, përkthyesja më e mirë e vitit në Prishtinë. Ajo ka folur më shumë për pasionin e saj për leximin dhe librat, si dhe ka sugjeruar disa tituj librash të cilët duhet të lexojmë këtë periudhë dimri. Ja një listë me disa libra fëmijësj, por në fakt që dhe të rriturit do të kuptojnë shumë prej tyre…

Këngë Krishtlindjesh – Charles Dickens

I botuar për herë të parë më 19 dhjetor 1843, libri pati menjëherë një sukses të madh editorial, të jashtëzakonshëm për kohën. Botimi i ilustruar, me një kopertinë në të kuqe të lehtë, shkronja të arta dhe ilustrime të ngjyrosura me dorë, i bëri të gjithë, të rritur e fëmijë, për vete. Një vepër që Dickensi e shkroi në vetëm gjashtë javë, për të plotësuar nevojat e familjes dhe që, brenda një viti, u kthye në frymëzim për të paktën tetë shfaqje teatrale, duke i hapur udhë një rryme të vërtetë letrare. Dickens shkroi “Këngë Krishtlindjesh” për të rritur ndërgjegjësimin për disa nga problemet në shoqërinë viktoriane. Ai mendonte se shumë nga këto probleme mund të zgjidheshin nëse njerëzit do të ishin më të sjellshëm me njëri-tjetrin.

Numri dy, David Foenkinos

Më 1999, u zhvillua audicioni për gjetjen e aktorit kryesor që do të luante rolin e Herri Poterit, rol që do ta shndërronte djaloshin fitues në njeriun më të famshëm në botë. Qindra kandidatë morën pjesë në atë audicion, por në fund mbetën vetëm dy. Ky roman tregon historinë e djalit që nuk u zgjodh. Martin Hilli është një djalë i vogël dhjetëvjeçar, me një jetë të zakonshme. Aq sa mund ta lejojnë kushtet ku jeton pas divorcit të prindërve. Thuajse rastësisht, teksa ndjek të atin në një shesh xhirimi, Martini i bie në sy një producenti që po zhvillon filmin e parë të sagës së Herri Poterit.

Fazë pas faze, djaloshi do të kalojë qindra kandidatë të tjerë, derisa në finale do të mbeten vetëm dy rivalë. Por fitues i rolit do të jetë djali tjetër. Kësisoj, Martinit do t’i shkërmoqen të gjitha shpresat që kishte ushqyer dhe tani e tutje do të krahasohet vazhdimisht me triumfin e gjithëpranishëm të rivalit të tij. Si mund ta marrë veten nga ky dështim, kur aventurat e magjistarit të vogël dhe përshtatjet e tyre kinematografike do të arrijnë sukses pas suksesi? Si do të jetojë Martini pas kësaj që ai e quan dështimin më të madh të jetës së tij?

Krishtlindja e Olivias

Krishtlindjet po vijnë dhe Olivia është tepër e zënë. Ajo duhet të presë për Babagjyshin, të sigurohet që babi të vendosë pemën, të shikojë mamanë duke bërë darkën e Krishtlindjes, të mbikëqyrë kujdesin me të cilin janë varur çorapet dhe, natyrisht, të HAP DURATAT E SAJ! Libër për fëmijët e moshës 3-6 vjeç.

Çfarë të bëjmë me idetë?

Kjo histori do të na frymëzojë për t’ia çelur rrugën asaj, për t’i dhënë hapësirë që të rritet dhe pastaj do të shohim se ç’do të ndodhë. Ideja jonë s’ka ku shkon tjetër. Ajo sapo ka nisur rrugën e saj.

Macja – Colette

Aleni, djali i vetëm dhe i përkëdhelur i një familjeje të pasur borgjeze, ka një mace shumë të bukur, Sahën, me të cilën ka një lidhje thuajse në simbiozë. Ndonëse vendos të martohet me Kamilën, një vajzë të hijshme dhe tepër moderne, Alenin e shqetëson shumë ideja se do të lërë shtëpinë e lindjes e mbi të gjitha macen e tij të adhuruar. Pas martesës, Saha fillon të dobësohet, prandaj Aleni vendos ta marrë me vete në apartamentin e ri të çiftit. Në një tension dhe xhelozi në rritje, prania e kafshës minon në mënyrë të pakthyeshme bashkëjetesën e tyre dhe Aleni do të jetë i detyruar të zgjedhë o njërën, o tjetrën. Se çfarë përfaqëson kjo mace, ngrohtësinë e fëmijërisë së humbur përgjithmonë, ëndrrën e një lidhjeje të përsosur për një burrë të brishtë dhe të papërmbushur, apo simbolin, lehtësisht shqetësues, për pamundësinë për të qenë normalë, autorja ia lë lexuesit ta vendosë. Sepse, në të vërtetë, thuajse në çdo shtëpi, endet një mace apo një fantazmë e ngjashme me të. Novela, e botuar për herë të parë më 1933, thuhet se është një lloj dedikimi i Colette-s për macen e saj.