Një ofertë e papritur nga presidenti amerikan, Donald Trump për t’iu bashkuar bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë, që pritet të zhvillohen këtë javë në Stamboll, nxiti bisedë mes diplomatëve amerikanë dhe europianë, që vazhdojnë të kërkojnë një rrugë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Mos e nënvlerësoni të enjten në Turqi, tha Trump për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, para nisjes për një udhëtim në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar, duke iu referuar bisedimeve të mundshme të 15 majit. Po mendoja të fluturoja atje. Nuk e di ku do të jem të enjten, kam aq shumë takime… Ndoshta do të jem atje, nëse e shoh që mund të ndodhë diçka.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, zhvilloi një bisedë telefonike me ministrat e Jashtëm të Francës, Gjermanisë, Polonisë, Britanisë, Ukrainës, si dhe me shefen e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, siç njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit, përmes zëdhënëses Tammy Bruce.
Udhëheqësit diskutuan për hapat e mëtejshëm drejt një armëpushimi dhe rrugës për paqe në Ukrainë.
Aleatët e Ukrainës dje ishin skeptikë për mundësinë e bisedimeve dhe për sinqeritetin e presidentit rus, Vladimir Putin.
Nuk mund të ketë bisedime nën zjarr, nëse nuk ka armëpushim, tha Kallas gjatë një takimi për Ukrainën në Londër. Duam të shohim që edhe Rusia e dëshiron paqen. Duhet që të dyja palët ta duan paqen. Për luftë mjafton vetëm një dhe po shohim që Rusia e do luftën.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deklaroi në platformën X se është i gatshëm të takohet me Putinin më 15 maj, në Stamboll. Ende nuk ka përgjigje nga Kremlini për ofertën e Zelensky-t dhe Moska nuk ka komentuar as ofertën e Trump-it për të marrë pjesë në bisedime.
Zelensky ka propozuar një armëpushim të plotë e të pakushtëzuar, duke thënë se kjo do ta afronte ndjeshëm paqen.
Këtë, Ukraina e ka propozuar prej kohësh, partnerët tanë gjithashtu dhe e gjithë bota po e kërkon. Po presim një përgjigje të qartë nga Rusia.
Dje, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, u takua me homologun turk, Hakan Fidan, për të diskutuar bisedimet e drejtpërdrejta me Kievin, një propozim i dalë nga Putini gjatë fundjavës, sipas Ministrisë së Jashtme ruse. Ende nuk dihet se kush nga pala ruse do të marrë pjesë në bisedime, që do të ishin të parat mes dy palëve që nga fillimi i luftës së plotë në shkurt të vitit 2022.