Rajoni

Disa të arrestuar pasi policia serbe hoqi bllokadat në Beograd!

Disa persona u arrestuan sot në mëngjes teksa policia serbe hoqi të gjitha bllokadat e vendosura në rrugët në Beograd, siç njoftoi Ministria për Punët e Brendshme e Serbisë. Ndërkaq, policia po heq barrikadat në qytetet e tjera, të vëna nga protestuesit në dhjetëra zona një natë më parë, si formë e “mosbindjes civile”. Kjo pas protestës së madhe studentore në Beograd. Në këtë protestë, ku u arrestuan dhjetëra persona, vlerësohet se morën pjesë 140 mijë protestues.

Në njoftimin e policisë serbe nuk u specifikua numri i të prangosurve pas heqjes së bllokadave. Studentët që po bllokojnë fakultetet në Beograd kanë publikuar video të arrestimeve në rrjetet sociale, duke thënë se “të arrestuarit u dhunuan fizikisht dhe u privuan nga liria”.

Pamje të arrestimeve, ku shihet përdorimi i forcës nga policia, u publikuan nga bllokadat në afërsi të Fakultetit Juridik në qendër të Beogradit e jo vetëm. Ministria e Brendshme deklaroi se “policia veproi në mënyrë shumë profesionale”.

Policia arrestoi protestuesit për shkak të sulmeve dhe fyerjeve ndaj policëve e për prishje të rendit publik. Trafiku në Beograd është kthyer në normalitet.

Vendosja e barrikadave në dhjetëra lokacione në mbarë Serbinë nisi pasditen e djeshme. Protestat po organizohen nga qytetarët, me ftesën e studentëve, të cilët prej 7 muajsh po bllokojnë dhjetëra fakultete në mbarë Serbinë.

Protestuesit kanë paraqitur tri kërkesa për qeverinë serbe. Ata po kërkojnë shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në Serbi, lirimin e të gjithë të arrestuarve pas protestës së 28 qershorit, si dhe heqjen e kampit të ngritur në qendër të Beogradit, ku po prej disa muajsh po qëndrojnë kundërshtarët e studentëve protestues. Këta të fundit kanë bërë thirrje për protesta të reja në kuadër të “mosbindjes civile”.

Por, po ashtu iu kanë bërë thirrje qytetarëve që të largohen nga barrikadat “me qetësi dhe pa panik” në rast se policia shkon me pajisje për të shpërndarë protestën. Më pas, sipas tyre, “protestuesit mund të rigrupohen”.

Në një faqe web e krijuar më herët nga studentët u publikuan rreth 50 pika ku ishin vendosur bllokadat një natë më parë, përfshirë rrugët dhe urat në Beograd. Në listë ishin përfshirë edhe 20 qytete të tjera në mbarë Serbinë ku u ngritën barrikada, nga Subotica, në Novi Sad, Zranjanini, Çaçaku, Uzhice, Kragujevci e Nishi. Protestuesit vendosën kosha të mbeturinave, goma, barrikada metalike në rrugë apo parkuan makinat e tyre.