Në Serbi po hiqen barrikadat që të normalizohet trafiku, pasi në orët e para të ditës, mijëra protestues antiqeveritarë bllokuan rrugët në disa qytete serbe dhe kërkuan lirimin e protestuesve të ndaluar nga policia. Kjo në kohën kur protestat po rrisin presionin ndaj presidentit populist, Aleksander Vuçiç.
Të drejtuar nga studentët, protestuesit vendosën barrikada metalike e kosha mbeturinash nëpër rrugët e Beogradit dhe bllokuan urën Gazela, mbi lumin Sava. Agjencitë e lajmeve raportuan se në Novi Sad, rrethuan zyrat e Partisë Progresive Serbe (SNS) të Vuçiçit, duke goditur ndërtesën me vezë.
Një faqe web është krijuar nga studentët organizatorë që bënë të ditur se në 30 pika në kryeqytetin serb ishin ngritur barrikada, si dhe shtuan se veprime të ngjashme po kryehen në të paktën 22 qytete të tjera të vendit.
Protestat u intensifikuan pasi policia nisi të ndalë pjesëmarrësit në tubimin masiv të mbajtur në Beograd, më 28 qershor. Vuçiç deklaroi se agjencitë e zbatimit të ligjit pritet të kryejnë “shumë më tepër arrestime”. Turmat antiqeveritare u rikthyen në rrugë mbrëmjen e djeshme, duke kërkuar lirimin e dhjetëra personave të ndaluar në natën e parë të protestës.
Prokurorët kanë deklaruar se të ndaluarit do të mbahen deri në 48 orë, nën dyshimet për akte dhune dhe sulm ndaj policisë në Beograd gjatë protestës masive të organizuar nga studentët, në të cilën vlerësohet se morën pjesë 140 mijë persona.
Ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç, raportoi se policia ka ndaluar 77 persona. Të paktën 38 prej tyre ende ishin në paraburgim. Në tetë muajt e fundit, mijëra serbë, shpesh të drejtuar nga grupe studentore, të cilëve gjithnjë e më shumë po u bashkohen qytetarë të tjerë kanë protestuar kundër Vuçiçit e qeverisë së tij.
Protestat u nxitën pasi 16 persona gjetën vdekjen kur u shemb një strehë betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor 2024. Protestuesit thanë se tragjedia u shkaktua nga korrupsioni e paaftësia e autoriteteve. Protestat u shpërndanë me shpejtësi, duke reflektuar një zemërim më të gjerë ndaj Vuçiçit, mandati pesëvjeçar i të cilit pritet të përfundojë më 2027-ën.
Vuçiç është president i Serbisë që nga viti 2017. Zgjedhjet parlamentare në Serbi pritet të mbahen në fund të vitit të ardhshëm.