Përballë sfidave të vështira, shoqëria ka nevojë për më shumë besim, durim dhe mirësi, tha kreu i Kishës Katolike në veri të Shqipërisë, Monsinjor Simon Kulli në ceremoninë e mbylljes së ‘Muajit të Zojës’ në Kishën me të njëjtin emër në fshatin Dejës.
‘Ka humb sot durimi, butësia, jemi vetëm njerëzit që me njëri-tjetrin tregojnë vetëm egërsi, jo butësi, për fat të keq tregojmë vetëm urrejtje, jo mirësi’, tha imzot Simon Kulli, ipeshkëv i Sapës.
Në mesazhet e tij, Imzot Simon Kulli, u ndal tek familja, duke bërë thirrje për të mos e shkatërruar dhe ndarë atë.
‘Familja ka rëndësi të jashtëzakonshme dhe të madhe në jetën e secilit njeri. Shkatërrim i familjes dhe një populli është fillimi i shkatërrimit të krejt popullit. Familja nuk mund të jetojë e ndare, vëllezër dhe motra. Nuk mund të ndahet familja, duke u ndarë burri dhe gruaja, e duke me matematikë fëmijët përgjysmë. Nuk është kjo familje. Nuk na nevojitet pasuria kur shkatërrohet familja, nuk shërben asnjë lloj pasurie kur nuk e kam familje ajo është pasura më e madhe që mund të ekzistojë në tokë’, tha Imzot Simon Kulli.
Bashkimi dhe harmonia, tha Imzot Kulli, janë armët përballë vështirësive ekonomike në familjet shqiptare.
‘Në një situatë ekonomike qe është e tepër e vështirë që të mund të përballohet, duhet vetëm të jemi të bashkuar me njëri-tjetrin. Bashkimi na forcon, ndërsa përçarja e bën të papërballueshme krizën ekonomike familjare’, tha ai.
Ky apel i Kishës vjen si një thirrje për ndalur divorcet. Mbi 34 mijë shqiptarë mbajnë statusin si persona të divorcuar në vendin tonë. Shumica prej tyre i përkasin grupmoshës 40-50 vjeç, sipas Censit të fundit të popullsisë.