Bota

Fillimi i Papnisë: Papa Leoni apel për unitet më të madh global!

Papa Leoni XIV bëri thirrje për unitet më të madh global dhe dënoi dëmet e kapitalizmit e pushtetit të pakontrolluar, sot gjatë meshës inauguruese në sheshin e Shën Pjetrit, përpara dhjetëra mijëra njerëzve, përfshirë të ftuar shtetërorë, mes tyre Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

Ne ende përjetojmë shumë mosmarrëveshje, shumë plagë të shkaktuara nga urrejtja, dhuna, paragjykimet, frika nga të tjerët dhe një model ekonomik që shfrytëzon burimet e Tokës e margjinalizon më të varfrit.

Ish-kardinali 69-vjeçar, Robert Francis Prevost i Çikagos, tha se shpresonte që Kisha Katolike të mund të bëhej një forcë për shërim dhe pajtim. Mesha inauguruese shënon fillimin zyrtar të tij si Papa i Vatikanit.

Që nga zgjedhja si Papa i 267-të më 8 maj, vazhdimisht iu ka bërë thirrje thirrje udhëheqësve botërorë të punojnë për t’i dhënë fund konfliktit global. Kohët e fundit, Papa Leoni XIV ofroi Vatikanin si një vend për negociata paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë.

Papa Leoni konsiderohet si një ndërtues urash i moderuar, i cili mund të ndërmjetësojë midis kampeve të ndryshme brenda Kishës. Gjerësisht besohet se kjo është një nga arsyet pse ai u zgjodh nga konklava e kardinalëve.

Në mesazhin inaugurues, Ati i Shenjtë deklaroi se do të punonte për unifikimin e Kishës dhe se ky kohezion mund të shërbente si shembull për të tjerët. Presidenti Begaj kryesoi delegacionin shqiptar që mori pjesë në Vatikan në ceremoninë e inaugurimit të Papa Leonit XIV.

Kreu i Shtetit pati edhe një takim me Papën, të cilit i shprehu urimet më të përzemërta me rastin e zgjedhjes At i Shenjtë dhe Peshkop i Kishës Katolike Romake. Gjithashtu, Presidenti i Republikës e përgëzoi për misionin e tij në ruajtjen e paqes dhe ndërtimin e urave të dialogut në një botë të mbushur me sfida e pasiguri.

Begaj vuri në dukje se udhëheqja e tij shpirtërore përfaqëson një zë që jep shpresë, dhembshuri e unitet ndërmjet njerëzve.  Shqipëria  është model i bashkëjetesës fetare, ku toleranca, respekti e harmonia midis feve të ndryshme janë vlera të rrënjosura thellë dhe trashëgimi e çmuar ndër breza. Në këtë ceremoni, Begaj u shoqërua nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani e ambasadorja e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Majlinda Frangaj.