Djali i Sokol Olldashit, Glauk Olldashi ka mbajtur fjalë e tij gjatë takimit me kryetarin e PD-së, Sali Berisha.
Ai është shprehur se partia e tyre ka shumë probleme, ndër to edhe fakti që shumë demokratë që mbajnë fjalën në ‘Foltoret’ e opozitës janë ‘tapë të pirë’ dhe nuk dinë çfarë flasin.
“Partia jonë ka shumë probleme. Ne duhet të bëjmë një takim tjetër pa kamera, sepse unë jam me parimin që problemet e shtëpisë fliten në shtëpi, jo në sytë e botës. Në çdo të hënë bëhen foltoret para Kryeministrisë dhe pjesëmarrja nuk është e kënaqshme. Problem nuk është që njerëzit kanë frikë, por problemi është që ata nuk duan. Ata që dalin tek foltoret aty nuk janë të denjë, sepse ai që del aty nuk është për veten, por për Partinë Demokratike. Ata që dalin aty dhe flasin kuturu, madje disa kanë qenë edhe tapë dhe ju merret goja kur flasin dhe kjo na dëmton të gjithëve. Dëmtimi i imazhit publik na dëmton ne të gjithëve”, u shpreh ai.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje të gjithë të rinjve të ngrenë zërin për të drejtat e tyre.
Gjatë fjalës së tij me të rinjtë një ditë para protestës kombëtare para Kryeministrisë, ai është shprehur se ashtu siç ka ndodhur në Beograd dhe në Bangladesh, ku gjenerata Z ka përmbysur regjimin, ashtu edhe të rinjtë opozitarë duhet të nisin këtë mision për të rikthyer shpresën, besimin, lirinë, të drejtat dhe të ardhmen e tyre.
“Është gjenerata Z që e përmbysën regjimin në Bangladesh, që përmbysi regjimin në Nepal, Sri Lanka, që po i dridh themelet Beogradit. Aty ra një çati në stacionin e trenit të Novi Sad-it, që humbën jetë njerëzish, 13 qytetarë, por studentët e Beogradit nuk i ndahen dhe do fitojnë. Lufta kundër diktaturave nuk është një ndeshje futbolli. Ju bëj thirrje ju të ngriheni në lartësinë e këtij misioni. Sot keni shansin e madh të riktheni edhe një herë shpresën, besimin, lirinë, të drejtat, të ardhmen tuaj dhe të shqiptarëve”, u shpreh Berisha.