Rajoni

DnV: Rritet gjuha e urrejtjes në fushatën zgjedhore në Kosovë!

Rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), përsëriti se subjektet politike e kanë rritur përdorimin e gjuhës nxitëse apo të urrejtjes në javën e dytë të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Ndërkohë, “Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar bojkotimin e shumicës së debateve televizive”.

Në një konferencë për media, Violeta Haxholli nga kjo organizatë tha se 20% e fushatës, që nisi më 11 janar, ka përmbajtur një gjuhë të tillë deri tani.

Në përgjithësi, në këto dy javë, këtë gjuhë nxitëse apo të urrejtjes e kemi hasur në gjithsej 62 aktivitete, apo në rreth 20% të numrit të përgjithshëm të aktiviteteve të subjekteve politike.

Lëvizja Vetëvendosje ka përdorur gjuhë nxitëse apo të urrejtjes në 25% të aktiviteteve zgjedhore, Lidhja Demokratike e Kosovës në 20%, Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA në 18% dhe Partia Demokratike e Kosovës në 11%, sipas Haxhollit.

DnV-ja ka vërejtur edhe rritje të madhe të komenteve të urrejtjes, sidomos në videot e shpërndara nga fushata zgjedhore e partive politike, gjatë monitorimit të hapësirës online.

Kemi vërejtur rritje të komenteve të urrejtjes, veçanërisht në videot që shpërndahen nga fushata. Nga monitorimi i portaleve kemi identifikuar 300.000 komente nga palët e treta. Kjo pasqyron gjuhën e urrejtjes, teksa më së shumti janë gratë që kandidojnë për deputete që janë përballur me gjuhë të tillë, tha Rezarta Delibashzade Krasniqi nga DnV-ja.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) vuri disa gjoba ndaj disa subjekteve politike për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Ndërkohë, Haxholli shtoi se ndër zhvillimet kryesore të fushatës në javën e dytë është “vendimi i Qeverisë së Serbisë për të ndarë nga rreth 170 euro për afro 5.000 persona në Kosovë”.

Për vlerësimin tonë përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor. Kjo paraqet përpjekje të hapur për të influencuar vullnetin qytetar të komunitetit serb duke përdorur ndihmën financiare si mjet për të ndikuar në përcaktimin e votuesve.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kryeministrit Albin Kurti përballet me thirrje nga organizatat joqeveritare ndërkombëtare e vendore, që të heqë dorë nga bojkotimi i disa mediave të caktuara.

Më 10 janar, 13 organizata joqeveritare ndërkombëtare e vendore, që merren me lirinë e medias, ia bënë këtë thirrje Kurtit dhe LVV-së përmes një letre të hapur.

Sekretari Organizativ i LVV-së, Alim Rama, iu përgjigj letrës shtatë ditë më vonë, duke thënë se partia e tij nuk po bojkoton mediat, po ka marrë vendim që të “përjashtojë” tre kanale specifike dhe një vendim i tillë “nuk cënon peizazhin e pasur dhe të larmishëm mediatik të Kosovës”.