Aktualitet Politikë Zgjedhjet 2025

“Do shkojë shumë shtrenjtë adrenalina”/ Rama: S’do ketë më policë në rrugë, gjoba do të vijë direkt në celular!

Kryeministri Edi Rama, teksa foli për projektet e reja, premtoi skemë të re të kontrolleve për respektimin e rregullave të qarkullimit në rrugë.

Sipas tij, nuk do të ketë më policë në çdo rrugë për të kontrolluar shoferët, por kjo do të bëhet përmes teknologjisë.

“Jo të rrinë policët atje dhe të thonë ndalo pak, sistemi i kontrollit në kohë reale të shpejtësisë do të bëjë që jo vetëm të jenë të menjëhershme (gjobat), por të të vijë në telefon bashkë me gëzimin që ke në faqe për tejkalimin e shpejtësisë. Bashkë më një mesazh kujdes deri në shtëpi, mos e përsërit më se të vjen gjoba prapë. Do të ndikojë në uljen e aksidenteve sepse do t’u shkojë shumë shtrenjtë adrenalina”.

Po ashtu, vijoi Rama, do të ketë një sistem për identifikimin e personave problematik.

“Jo vetëm të atyre në kërkim, por edhe në raport me mossigurimin e makinës, se e pasiguruar nuk do dalë dot në rrugë makinë”’, tha kryesocialisti.

Kreu i qeverisë Edi Rama ishte sot në një takim ku fokusi ishte te Infrastruktura rrugore dhe autorrugore.

Në mbyllje të fjalës së tij Rama theksoi edhe një herë rëndësinë e futjes së Shqipërisë në BE pas do të ketë ndihmë ekonomike për të çuar para projekte dhe investime.

Kreu i qeverisë bëri edhe një krahasim të historisë së Shqipërisë dhe rrugës së saj për t’u anëtarësuar në BE, duke thënë se ne jemi ‘dhëndri që duam të futemi në një familje të pasur, por vajza ka dyshime dhe të fton për drekë me prindërit’.

“Është si ajo puna që ti je i dashuruar, ajo ka dyshime dhe të fton te shtëpia e prindërve të dielën, ti zbukurohesh shkon dhe rri atje sa më mirë dhe më pas pret të dielën tjetër. Rri mendon si ju duka vjehrrit, vjehrrës, kunatës, dhe ata janë familje e pasur ti je dinjitoz por….

Në momentin kur t’i futesh atje edhe të thotë vjehrri dhe vjehrra do marrësh drejtim e kësaj pjesë të kompanisë sonë, ti kalove dhe u bëre aksioner dhe thua më pas inshalla s’më ftojnë të dielën se s’kam kohë. Këtë duhet të përpiqemi të arrijmë dhe unë besoj se do ta arrijmë”, tha Rama.