Mbahet sot Konferenca e Katërt e Anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Njoftimi u bë i ditur nga Këshilli Europian, sipas të cilit, në konferencën ndërqeveritare do të diskutohen proceset radhës për integrimin e Shqipërisë në BE. Konferenca Ndërqeveritare me BE-në mbahet në Luksemburg në orën 18:00, e ndjekur nga një konferencë për shtyp rreth orës 19:15/19:30).
Sipas njoftimit, mësohet se takimi do të shërbejë për hapjen e negociatave me Shqipërinë për Clusterin 2 “Tregu i brendshëm”, duke përfshirë kapitujt 1 (lëvizja e lirë e mallrave), 2 (liria e lëvizjes së punëtorëve), 3 (e drejta e vendosjes dhe liria për të ofruar shërbime), 4 (lëvizja e lirë e kapitalit), 6 (e drejta e kompanive), 7 (ligji i pronësisë intelektuale), 8 (ligji për mbrojtjen e konkurencës dhe shërbimet e shumës).
Ky zhvillim shënon një tjetër etapë të rëndësishme në procesin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Shqipëria aplikoi për anëtarësim në muajin prill të vitit 2009 e iu dha statusi i kandidatit në BE në qershor të 2014-ës. Më 9 nëntor të vitit 2010, Komisioni Europian dha opinionin e tij për aplikimin e vendit tonë për anëtarësim në Union.
Brukseli zyrtar vlerësoi se përpara se negociatat e anëtarësimit të hapeshin zyrtarisht, Shqipërisë i duhej që të arrinte një shkallë të nevojshme përputhshmërie me kriteret e anëtarësimit, veçanërisht për të përmbushur 12 prioritetet kryesore të identifikuara në opinion.
Në tetor të vitit 2012, Komisioni Evropian rekomandoi që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat, në varësi të përfundimit të masave kyçe në fushat e reformës gjyqësore e të administratës publike, si dhe rishikimit të rregullores së procedurës parlamentare. Bashkimi Europian mbajti konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë në korrik të vitit 2022.
Në tetor të vitit të kaluar u zhvillua Konferenca e Dytë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së, duke shënuar hapjen zyrtare të negociatave për grup-kapitujt e parë, për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ndërsa konferenca e tretë u mbajt më 17 dhjetor të vitit që lamë pas.