Në nisje të bashkëbisedimit me ndjekësit në rrjetet sociale, kryeministri Rama deklaroi në “Sy m’Sy” se Bashkimi Europian na sheh si anëtar potencial dhe nuk bën kurrë bamirësin. Të tjerat, tha Rama janë muhabete pazari otoman të politikës shqiptare. Sipas tij, historia e kënetës ka marrë fund, duke shtuar se më shumë nxori Big Brother kandidatë në lista se Primaret.
Sot, Bashkimi Europian është më i interesuar se asnjëherë për zgjerimin dhe shikon te Shqipëria një aktore me besueshmëri të lartë, të respektuar e protagoniste të procesit të reformave të Balkanit Perëndimor. Pra, së bashku me Malin e Zi, një anëtar i ri potencial i BE-së.
Patjetër është gjeopolitika që dikton këtë përshpejtim, por nga ana tjetër ka një gjë që të gjithë duhet ta dinë dhe kush thotë të kundërtën ose nuk e ka idenë si funksionon BE-ja, ose pastaj bën sikur. Pavarësisht nevojës që ka BE-ja për të zgjeruar radhët e veta për arsye gjeopolitike, BE-ja nuk të fal absolutisht asgjë, për asnjë arsye.
Mund të jetë e padrejtë kur ti mund ta meritosh të hedhësh hapin tjetër dhe të thotë jo për arsye të brendshme. Na e ka bërë neve, por nuk është kurrë në situatën e një bamirësi dhe me të drejtë kërkon se kë afron ta ketë me standardet e veta e nuk ka asgjë më të padiskutueshme lidhur me gjithë procesin e shtetbërjes në Shqipëri se rezultatet e monitorimit të vazhdueshëm. Të tjerat janë muhabete pazari otoman të politikës shqiptare.
Po ashtu, Rama komentoi rastin e zbuluar në Lushnjë, ku një 38-vjeçar u arrestua pasi premtonte 500 euro në këmbim të votës për PD-në.
Pashë që kishin dalë ca që jepnin lekë, nga këto paratë e kënetës, se këneta ka shumë para. E keni parë sa e ka paguar Latifin, ku i gjejnë xhanëm? E keni parë Latifin. Kam parë se ka dalë këneta me para, se kishin kap një zhapik andej nga Lushnja që jepte para për votën, askush mos ta bëjë këtë gabim, se është krim që ndëshkohet rëndë e nuk ia vlen fare.
Rama u shpreh se në zgjedhjet e 11 Majit, opozita do të hajë më shumë gola se asnjëherë më parë e siç u shpreh “do të vërë kujën: ma çanë rrjetën, ma çanë rrjetën”.