Celebrities Film & Tv Gossip Showbiz

Dokumentari “Melania” tejkalon pritshmëritë, më i shtrenjti i realizuar ndonjëherë!

Dokumentari “Melania”, i cili fokusohet te Melania Trump dhe ditët para inaugurimit të dytë të Donald Trump si president i SHBA-së, pati një debutim më të mirë se sa pritej në kinema. Filmi arriti të arkëtojë rreth 6.5 milionë euro në fundjavën e parë, duke tejkaluar parashikimet fillestare që llogariteshin mes 2.8 dhe 4.7 milionë euro. Ky rezultat konsiderohet i suksesshëm për një dokumentar politik, sidomos duke pasur parasysh se u shfaq në gati 1.800 kinema në SHBA, gjë e pazakontë për këtë zhanër.

Amazon MGM Studios pagoi rreth 37.2 milionë euro për të drejtat e filmit dhe shpenzoi edhe 32.6 milionë euro për marketing, duke e çuar koston totale në afro 69.8 milionë euro, çka e bën dokumentarin më të shtrenjtë të realizuar ndonjëherë. Edhe pse për një film të zakonshëm këto shifra dhe të ardhura do të konsideroheshin dështim, në rastin e “Melania”-s rezultati shihet ndryshe, pasi dokumentari ka më shumë peshë politike se sa tregtare.

Filmi u drejtua nga Brett Ratner dhe u shfaq në një moment të ndjeshëm politik gjatë mandatit të dytë të Trump. Kritika profesionale ishte kryesisht negative, duke e cilësuar filmin si propagandues dhe pa thellësi, por publiku reagoi më pozitivisht, duke i dhënë vlerësimin maksimal “A” në CinemaScore, veçanërisht në shtetet jugore të SHBA-së si Florida dhe Teksasi. Dokumentari pritet të jetë i disponueshëm në platformën Prime Video, ndërsa pritet që fitimet ndërkombëtare të jenë minimale.