Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, i bëri thirrje Gjykatës së Lartë, të pezullojë zbatimin e ligjit që do të ndalonte aplikacionin e rrjeteve sociale, TikTok apo do ta detyronte të shitej, duke argumentuar se atij i duhet kohë për të gjetur “zgjidhje politike” për këtë çështje pasi të marrë detyrën. Gjykata pritet të dëgjojë argumentet më 10 janar.
Në Shtetet e Bashkuara, ligji do t’i kërkojë pronarit kinez të TikTok-ut, ByteDance, ta shesë platformën te një kompani amerikane apo të përballet me ndalim. Në muajin prill, Kongresi amerikan votoi për ndalimin nëse ByteDance nuk e shet aplikacionin deri më 19 janar 2025.
TikTok-u që ka mbi 170 milion përdorues në SHBA, synon ta anulojë ligjin. Por, nëse Gjykata e Lartë nuk vendos në favor të platformës apo në rast se nuk ka procedurë të shitjes, aplikacioni do të ndalohet në Amerikë më 19 janar, një ditë para se Trump të marrë detyrën e presidentit.
Mbështetja e Trump-it për TikTok-un paraqet ndryshim të qëndrimit, pasi më 2020-ën, pati tentuar ta bllokonte aplikacionin në SHBA e ta detyronte që t’i shitej kompanive amerikane për shkak të pronësisë kineze.
Nga Gjykata, Trump kërkon që ta shtyjë afatin e 19 janarit e të vazhdojë ta shqyrtojë këtë çështje, duke i mundësuar administratës së re që të ketë mundësi të përpiqet të gjejë një zgjidhje politike lidhur me çështjen.
Pak kohë më parë, Trump takoi shefin ekzekutiv të TikTok-ut, Shou Zi Chew kur presidenti i zgjedhur amerikan u shpreh dakord që kjo platformë të vazhdojë të operojë në SHBA, të paktën edhe për një kohë të shkurtër.
Më herët, kompania ka argumentuar se Departamenti amerikan i Drejtësisë ka paraqitur në mënyrë të keqe lidhjet e saj me Kinën, duke theksuar se “pajisja për rekomandimin e përmbajtjes dhe të dhënat e përdoruesve ruhen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në serverat që operohen nga Oracle Corp”. Po ashtu, edhe vendimet mbi përmbajtjen merren në SHBA.
Departamenti amerikan i Drejtësisë ka argumentuar se kontrolli kinez mbi TikTok-un paraqet kërcënim për sigurinë kombëtare, një qëndrim që është mbështetur nga shumica e ligjvënësve të Kongresit Amerikan.