Pas zgjatjes së hetimeve për dosjen “Buka” ku po hetohet ish-zv.kryeministri në arrati Arben Ahmetaj, SPAK-u dorëzoi në Gjykatën e Posaçme, GJKKO prova të reja. Përgjatë tre muajve të fundit, prokurori Elvin Gokaj ka plotësuar detyrat hetimore që gjyqtari i Posaçëm i la më herët.
Në këto kushte, avokati mbrojtës i ish-numrit dy të qeverisë kërkoi kohë për t’u njohur me provat shtesë që dorëzoi Struktura e Posaçme. Pikërisht kjo arsye shërbeu si shkak për shtyrjen e seancës paraprake për në datën 17 korrik.
Arben Ahmetaj akuzohet në këtë dosje për shpërdorim detyre.
Sipas organit të akuzës, kur shërbente si ministër i Financave, Ahmetaj lejoi privatizimin e trojeve të një furre buke, ku tashmë është ndërtuar një kompleks pallatesh. Ndërkaq, ish-zyrtari i lartë po hetohet edhe për tre vepra penale të tjera si “Pastrim parash”, “Fshehje të pasurisë” e “Korrupsion pasiv”, në lidhje me inceneratorët.