Pas hedhjes së shortit, u caktua treshja e gjyqtareve që do të gjykojnë dosjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Kryesuese Ëngjëllushe Tahiri, ndërsa dy gjyqtaret e tjera janë Alma Kodraliu e Rudina Palloj.
Më 9 shkurt, Gjykata e Posaçme vendosi të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si edhe 28 personave e shoqërive pjesë e së njëjtës dosje.
Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025, ndërsa SPAK e dërgoi kërkesën për ta kaluar dosjen për gjykim vetëm 5 muaj më parë. SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Shumica e akuzave lidhen me korrupsion pasiv të kryer në 9 raste, në raport me disa kompani. Sipas SPAK-ut, ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare e pasurive të paluajtshme, kundrejt lejeve të ndërtimit e përfitimit të fondeve publike nga Bashkia Tiranë.
Edhe bashkëshortja, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste, në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse. Gjithashtu, Xoxa akuzohet për pastrim parash, mosdeklarim pasurie e fshehje të të ardhurave.
Biznesmenët akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash.
Ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, kurse Fatjon Baci është gardiani i burgut të Durrësit, i cili i dha telefonin Erjon Veliaj gjatë transferimit të tij nga qelia në gjykatë, në dy raste dhe akuzohet për “Futje ose mbajtje të sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”.