Zgjati vetëm pak minuta e para seancë gjyqësore për dosjen Partizani në GJKKO. Munguan ish-kryeministri Sali Berisha, biznesmeni Fatmir Bektashi e financierja Andia Pustina. As kompania Homeplan nuk çoi përfaqësues ligjor. Ishin të pranishëm Jamarbër Malltezi e Xhimi Begeja. Prokurori Arben Kraja kërkoi shtyrje se nuk është bërë njoftimi sipas ligjit për Berishën. Seanca e radhës mbahet me 21 korrik, ora 10:30.
Treshja gjykuese, me kryesuese Elsa Ullirin dhe relatorë Bib Ndrecën e Rudina Palloin, vendosën shtyrjen. Por, u mësua se prej 10 ditësh, Ulliri ka bërë kërkesë për dorëheqje nga gjykimi i dosjes “Partizani”. Në argumentet e saj, thotë se është kushërirë me deputeten demokrate, Andia Ulliri.
Më herët, Gjykata e Posaçme shtyu për më 7 korrik seancën për Jamarbër Malltezin, i cili ka kërkuar revokimin e masës së sigurisë “Arrest shtëpie”. Për mediat, dhëndri i ish-kryeministrit Berisha tha se procesi ndaj tij dhe të pandehurve të tjerë të dosjes “Partizani” është një “gjueti shtrigash”.