Klodjan Braho është zgjedhur me 7 vota si kreu i ri i SPAK.
Pas mbylljes së procesit, Ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato ka përgëzuar prokurorin duke thënë se SPAK ka rol thelbësor në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
“Kemi ardhur këtu të tregojmë mbështetjen tonë për KLP, por edhe për të treguar interes në procedurën e emërimit. SPAK ka rol thelbësor në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Është një nga kërkesat kyçe për në BE. Dje thamë që ajo që kërkojmë është një kryetar që do të vijojë punën e SPAK, dhe ajo që kërkonim ishte një kandidat me nivele pavarësie dhe integritet. Uroj z.Braho dhe që mirëpresim bashkëpunimin me të në vijim”, u shpreh Gonzato.
Braho më herët, në krye të seksionit kundër Korrupsionit në SPAK, ka drejtuar shumë çështje hetimore me rëndësi. Partnerët ndërkombëtarë kanë monitoruar nga afër procesin e zgjedhjes. Më 19 dhjetor i mbaron mandati i Dumanit dhe ia dorëzon detyrën Klodian Brahos. Gjatë votimit Adnan Xholi mori 3 vota, Elvin Gokaj 1 votë, Braho 7 vota. Braho ka hyrë në sistemin e drejtësisë më 14 nëntor 2007, pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe Shkollën e Magjistraturës. Karrierën si prokuror e nisi në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, ku punoi deri në vitin 2012. Më pas u transferua në Prokurorinë e Vlorës, ku ushtroi detyrën deri në vitin 2015, përfshirë një periudhë si zëvendësdrejtues i këtij institucioni. Në vitin 2015, Braho u emërua në Prokurorinë për Krime të Rënda në Tiranë, ku u përfshi në hetime të çështjeve me karakter të veçantë penal. Pas shpërbërjes së kësaj prokurorie dhe krijimit të SPAK, ai u emërua prokuror në strukturën e re. Gjatë karrierës së tij, Braho ka qenë pjesë e hetimeve që lidhen me zyrtarë të lartë dhe subjekte të dyshuara për krim të organizuar. Ndër dosjet që ka ndjekur përmendet ajo ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Në korrik të vitit 2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi në detyrë me vendimin nr. 191, duke i hapur rrugë emërimit në SPAK. Në vitin 2022, ai u përfshi në procesin e kandidimit për postin e kreut të SPAK, por më pas u tërhoq nga gara. Në mars të vitit 2023, Braho dha dorëheqje nga një pjesë e një dosjeje që kishte në hetim, në lidhje me çështjen e inceneratorëve, pas pretendimeve të ngritura nga palë të përfshira për mungesë transparence në veprimet procedurale. Aktualisht, Klodian Braho vijon të ushtrojë funksionin si prokuror i posaçëm në SPAK.