Këngëtarja shqiptare me famë botërore ka dhuruar një performancë energjike dhe plot stil mbrëmjen e së mërkurës në Amsterdam, në kuadër të turneut të saj ndërkombëtar “Radical Optimism”.
Para mijëra fansave në Ziggo Dome, një nga sallat më të mëdha në Holandë, 29-vjeçarja interpretoi disa nga hitet e saj më të njohura, si “Levitating” dhe “Dance The Night”. E veshur fillimisht me një bodysuit ngjyrë gri me korse, geta të zeza dhe çizme me shkëlqim, ajo pushtoi skenën me vetëbesim dhe elegancë. Më pas, ndërrimet e veshjeve përfshinë një fustan transparent, një bodysuit vezullues me tone të arta dhe të zeza, dhe në fund një jumpsuit të kuq që nxirrte në pah stilin e saj unik.
Turneu “Radical Optimism”, që nisi në vitin 2024 dhe përfshin mbi 80 koncerte në mbarë botën deri në fund të 2025-ës, po pritet me entuziazëm nga publiku ndërkombëtar. Në një intervistë të fundit për Vogue, Dua u shpreh se e ndjen veten më të gjallë se kurrë në skenë: “Largohem çdo natë me ndjesinë se kemi ndarë diçka të jashtëzakonshme me publikun”.
Paralelisht me suksesin artistik, Dua Lipa po jeton edhe një periudhë të lumtur në jetën personale. Ajo ka konfirmuar zyrtarisht fejesën me aktorin britanik Callum Turner, 35 vjeç. Këngëtarja u shfaq me një unazë fejese me vlerë rreth 25,000 paund – një diamant elegant në formë solitari mbi një rrip ari 18 karatësh.
Çifti janë bashkë që nga fillimi i vitit 2024 dhe arritën ta mbajnë lidhjen larg vëmendjes mediatike deri në momentin që e bënë publike fejesën. Propozimi thuhet të ketë ndodhur në dhjetor dhe ishte mjaft romantik. Debutimi i tyre si çift në tapetin e kuq ndodhi në Met Gala 2025, duke i konfirmuar zyrtarisht si një nga çiftet më të përfolur të vitit