Këngëtarja me famë botërore dhe me prejardhje shqiptare, Dua Lipa, ka ndarë së fundmi me ndjekësit e saj në Instagram një copëz të ditës së saj familjare, duke treguar lidhjen e saj të ngushtë me rrënjët shqiptare.
Në një foto të postuar në InstaStory, artistja 28-vjeçare ka publikuar një mëngjes tipik shqiptar, i përbërë nga suxhuk, vezë të fërguara, speca dhe petulla të freskëta – një kombinim që ngjall kujtime të fëmijërisë për shumë shqiptarë.
Krahas fotos, Dua kishte shkruar me thjeshtësi:
Mëngjes te prindërit e mi
-duke reflektuar dashurinë dhe nostalgjinë për traditën dhe familjen.
Postimi i saj u prit me entuziazëm nga fansat, të cilët vlerësuan përkushtimin e këngëtares për të ruajtur lidhjen me origjinën e saj, pavarësisht suksesit ndërkombëtar.
Ndërkohë, Dua Lipa pritet të rikthehet këtë verë në Kosovë, ku do të performojë për herë të tretë në festivalin ndërkombëtar “Sunny Hill”, që organizohet nga babai i saj, Dukagjin Lipa.
Festivali, i cili mbahet në Prishtinë, është kthyer tashmë në një ngjarje të rëndësishme kulturore në rajon, duke sjellë emra të mëdhenj të muzikës dhe duke promovuar artin dhe kulturën shqiptare.