Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që nuk kanë votuar këtë të diel.
Ai thekson se dy orët që kanë mbetur janë vendimtare për katër vitet e ardhshme në Kosovë.
Mesazhi i plotë i Kurtit:
Të dashur qytetarë të Kosovës,
Sot është dita D e demokracisë. Kush nuk ka dalur ende të votojë, shkoni tash sa më parë. Pyesni të gjithë të afërmit e miqtë se a kanë votuar dhe ua përcjellni këtë porosi timen që të shkojnë të votojnë menjëherë nëse nuk e kanë bërë. Më pak se dy orët në vijim, deri në 19:00, janë vendimtare për edhe më shumë se katër vitet e ardhshme!
Ju falemnderit,
Albin Kurti
Mbi 940 qendra votimi janë të hapura që prej orës shtatë të mëngjesit deri në orën 19:00, ndërsa mbi 100 të dërguar të Bashkimit Evropian dhe 18 nga Këshilli i Evropës janë vëzhgues që po ndjekin nga afër procesin e votimeve. Zgjedhjet e së dielës janë të nëntat me radhë që nga përfundimi i luftës së viteve 1998-1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.
Kjo është hera e parë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, që parlamenti i Kosovës përmbushi mandatin e plotë katërvjeçar.
Kandidatët e partive kryesore politike për postin e kryeministrit bënë thirrje të dielën në mëngjes për pjesëmarrje sa më të gjerë të qytetarëve në votime.
Kandidatët për kryeministër janë: Albin Kurti – Lëvizja Vetëvendosja VV; Lumir Abdixhiku – Lidhja Demokratike e Kosovës LDK; Bedri Hamza – I kandiduar nga Partia Demokratike e Kosovës PDK dhe Ramush Haradinaj – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës AAK.