Bota

Dy të dyshuar të arrestuar për vjedhjen në muzeun e Luvrit!

Dy persona u arrestuan gjatë një operacioni policor të nisur dje në mbrëmje si pjesë e hetimit për vjedhjen e një jave më parë në Muzeun e Luvrit, në Paris. Sipas Le Parisien, besohet se ata janë pjesë e bandës prej katër vetash që vodhi bizhuteritë nga Galeria Apollo. Mendohet të jenë dy burra me origjinë nga rajoni Seine-Saint-Denis në Francë.

Operacioni nisi papritur, pasi hetuesit, të cilët i kishin monitoruar dy individët për ditë të tëra, kuptuan se njëri prej tyre po bëhej gati të arratisej jashtë vendit, me gjasa në Algjeri. Ata e ndoqën dhe e arrestuan në aeroportin Roissy-Charles de Gaulle të Parisit.

Pas tij, u kap bashkëpunëtori që po tentonte të udhëtonte drejt Malit. Të dy, rreth 30 vjeç, janë të skeduar nga policia për vjedhje e konsiderohen hajdutë me përvojë. Dy të arrestuarit u transferuan në zyrat e antikrimit francez, ku pritet të mbahen deri në 96 orë.

Nuk përjashtohet as bashkëpunimi me një roje të sigurisë së muzeut.

Të dielën, autorët e ngjarjes parkuan një kamion me platformë ngritëse pranë Luvrit, e përdorën për t’u ngjitur në një tarracë dhe prej andej hynë në brendësi të ndërtesës, duke vjedhur bizhuteri mbretërore me vlerë 88 milion euro për vetëm 7 minuta.

Duke shtuar jehonën online rreth grabitjes, pamje të reja u publikuan në rrjetet sociale, duke treguar arratisjen e qetë të autorëve.

Videoja 36-sekondëshe, e filmuar nga një dritare pranë e që shikon mbi Quai François Mitterrand, tregon dy burra të veshur me të zeza, njëri me jelek fosforeshent dhe tjetri me helmetë motoçiklete, teksa zbresin nëpër shkallën Böcker nga Galeria “Apollo” e muzeut.

Sipas prokurores së Parisit, Laura Beccuau, grabitja, e cila ndodhi rreth orës 9:30 të mëngjesit, zgjati midis gjashtë dhe shtatë minutash dhe u krye nga katër persona të paarmatosur, të cilët megjithatë kanë kërcënuar rojet.

Zyrtarët thanë se nëntë objekte ishin në shënjestër, por tetë u vodhën, nga koleksioni i bizhuterive të Napoleonit dhe Perandoreshës në Galerinë Apollo.

Një objekt u gjet më vonë jashtë muzeut, siç bëri të ditur ministrja Rachida Dati. Mediat franceze e identifikuan atë si kurorën e perandoreshës Eugénie, bashkëshortes së Napoleonit III, të zbukuruar me më shumë se 1 300 diamante. Për fat të keq, objekti qe thyer.