Dove Cameron ka vendosur të thyejë heshtjen vetëm disa javë pasi konfirmoi fejesën e saj me këngëtarin italian dhe frontmenin e Måneskin, Damiano David, duke ndarë për herë të parë detaje nga momenti romantik që i ndryshoi jetën.
Aktorja dhe këngëtarja 30-vjeçare, e cila kishte nxitur prej muajsh spekulime për një fejesë, ishte e ftuar të martën në emisionin “The Tonight Show With Jimmy Fallon”, ku foli hapur për propozimin intim që David i bëri në tetor të vitit të kaluar.
Edhe pse momenti i fejesës kishte ndodhur disa muaj më parë, çifti vendosi ta mbante privat dhe ta konfirmonte publikisht vetëm pas festimeve të Vitit të Ri 2026, përmes postimeve në rrjetet sociale.
Gjatë intervistës, Cameron shfaqi unazën e saj me diamant, duke zbuluar se ajo ishte dizajnuar personalisht nga vetë Damiano David. Aktorja u shpreh se ky detaj e kishte bërë unazën edhe më të veçantë emocionalisht.
Ai bëri një punë kaq të bukur. Mori pjesë vetë në dizajnimin e saj dhe kjo më preku jashtëzakonisht shumë. Është thjesht perfekte
-tha Cameron, duke mos e fshehur emocionin.

Jimmy Fallon e pyeti nëse ajo kishte pasur ndonjë dyshim apo parandjenjë për propozimin, dhe përgjigjja e saj surprizoi publikun: Dove pranoi se e dinte që Damiano po përgatitej t’i propozonte, por kjo nuk e kishte bërë momentin më pak magjik.
Rrëfimi i saj ka ngjallur menjëherë reagime të shumta në rrjet, ndërsa fansat e çiftit e kanë cilësuar historinë e tyre si një nga më romantiket e showbiz-it aktual.