Shkencëtarët e NASA-s kanë zbuluar vrimën e zezë më të vjetër deri më tani, e formuar vetëm 470 milionë vjet pas Big Bengut. Gjetjet konfirmojnë ato që deri tani ishin teori. Teleskopi Hapësinor James Webb i NASA-s dhe Observatori i Rrezeve X Chandra u bashkuan gjatë vitit të kaluar për të bërë vëzhgimet dhe vunë re vrimën e zezë 13.2 miliardë vite dritë larg në galaktikën UHZ-1.
Kjo do të thotë se drita e tij ka udhëtuar 13.2 miliardë vjet për të arritur teleskopët tanë hapësinorë, duke e bërë atë një fotografi mahnitëse të së kaluarës së lashtë, sipas astronomëve. Studiuesit besojnë se vrima e zezë u formua nga retë kolosale të gazit që u shembën në galaktikën pranë një galaktike tjetër yjesh. Dy galaktikat u bashkuan dhe vrima e zezë mbizotëroi.
Ajo që befason më shumë sipas shkëncëtarëve është fakti se kjo vrimë është 10 herë më e madhe se ajo në Rrugën e Qumështit. Sipas autorit kryesor të studimit, Akos Bogdan i Qendrës Harvard-Smithsonian për Astrofizikën, vrima e zezë vlerësohet të peshojë midis 10% dhe 100% të masës së të gjithë yjeve në galaktikën e saj. Në fakt, kjo madhësi as nuk mund të krahasohet me përmasat e vogla të vrimave të zeza në galaktikën tonë dhe galaktika të tjera afër, të cilat arrijnë 0.1%.
Rikujtojmë se disa muaj më parë u zbulua vrima e zezë më e afërt me Tokën, rreth 1600 vite dritë larg. Ajo quhet Gaia BH1, ka një masë rreth 10 herë më të madhe se Dielli dhe rreth tij rrotullohet një yll i ngjashëm me yllin tonë, në konstelacionin e Ophiuchus. Ekspertët thonë që nuk duhet të shqetësohemi pasi, nëse do të udhëtosh me shpejtësinë 300.000 kilometra në sekondë, do të duhen 1600 vjet për të arritur atje. Vrimës së zezë i janë dhënë inicialet Gaia BH1, siç u vëzhgua fillimisht nga teleskopi hapësinor Gaia. Kërkimet vazhduan falë vëzhgimeve të bëra me teleskopin Gemini North, në Hawaii.