Aktualitet Rajoni

E fundit në Rajon për proceset industriale, Shqipëria nuk integrohet me zinxhirët globalë!

“Vendet e Ballkanit Perëndimor ku bën pjesë edhe Shqipëria mund të çojnë ekonomitë përpara duke zhvilluar prodhimin industrial dhe bashkëpunimin ndërmjet tyre duke krijuar klastera në disa industri”, siç referon një studim i fundit Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC).

Por, siç tregojnë të dhënat, Kosova dhe Shqipëria janë pas në proceset industriale dhe integrimin me prodhimet e tyre në tregjet globale. Industria automobilistike, veçanërisht në Maqedoninë e Veriut e në Serbi, ka shfaqur rritje përmes integrimit në zinxhirët globalë, me aftësi në rritje për komponentë të automjeteve elektrike. Procesimi i metaleve, i përqendruar në Bosnjë-Hercegovinë dhe Serbi, ofron ekspertizë në shfrytëzimin më të plotë të burimeve.

Agro-përpunimi, prodhimi i Shqipërisë, paketim në Serbi

Në industrinë agro-ushqimore shihet premtues promovimi i markës rajonale “Balkan Fresh”. Observatori Ekonomik Rajonal mund të financojë studime fizibiliteti për produkte e tregje premtuese, si dhe të hartojë skema për vlerë shtesë në zinxhirë rajonalë të vlerës. Një fushatë e unifikuar brandimi  “Balkan Fresh” do të përmirësonte dukshmërinë e produkteve agro-ushqimore të Rajonit në tregjet ndërkombëtare, me certifikim për cilësi dhe qëndrueshmëri. Organizimi i panaireve ndërkombëtare agro-ushqimore (vjetore, me rotacion të qyteteve pritëse) do të afronte blerës globalë.

Plani sugjeron se në fushën e agro-industrisë, Shqipëria me Kosovën duhet të forcojnë më tej prodhimin vendas e të lidhen me qendrat e përpunimit në Serbi e Mali i Zi, duke përmirësuar shkallën e përpunimit dhe vlerën e shtuar në destinacionet e eksportit. Gjithashtu, sugjerohet ndërtimi i një platforme digjitale për siguri ushqimore “nga ferma, te tryeza” në të gjitha vendet.

Si një promotore e agroturizmit, Shqipëria duhet të mundësojë një lidhje më të mirë të sektorit me prodhimin vendas, sugjeron plani.

Krijimi i Qendrës Rajonale të Inovacionit Agro-ushqimor, një institucion që bashkon kërkimin, trajnimin dhe teknologjinë mund të përshpejtojë praktikat e mira të prodhimit ekologjik e organik me vlerë të lartë.

Industria Automobilistike, Shqipëria për montime të thjeshta

Industria automobilistike në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut është në rritje brenda zinxhirëve globalë, me potencial për të avancuar drejt segmenteve me vlerë më të lartë, përfshirë automjetet elektrike. Plani sugjeron se Shqipëria propozohet të fokusohet në montimin e nënkomponentëve (kabllo e module elektronike), por për këtë duhen stimuj fiskalë për investitorët që sjellin teknologji montimi në vend.

Për t’u përfshirë në këtë industri, Shqipëria duhet të përmirësojë kualifikimin e fuqisë punëtore për prodhimin e nënkomponentëve elektrikë dhe duhen krijuar partneritete me universitetet teknike e qendrat profesionale në Rajon, me fokus në automjetet elektrike dhe autonome.

Çfarë duhet të përmirësojë Shqipëria?

Që të bëhet përfituese e klasterave rajonale industriale, Shqipëria duhet të investojë në rrjetin rrugor, hekurudhor e multimodal, si dhe të digjitalizojë kalimet kufitare për të ulur kostot e transportit dhe përshpejtuar logjistikën. Plani  sugjeron lehtësimin e aksesit në financa për SME-të. Gjithashtu, Shqipëria duhet të promovojë produktet alternative financiare (faktoring, leasing) e të krijojë kushte për tërheqjen e fondeve private (private equity), duke reduktuar barrierat e kolateralit.

Shqipëria duhet edhe të miratojë kriteret e përbashkëta mjedisore në tenderët publikë mbi pragje të caktuara, duke nxitur kërkesën për produkte dhe shërbime me ndikim të ulët mjedisor. Strukturat rajonale, të tilla si Observatori Ekonomik Rajonal mund të ndihmojnë me studime fizibiliteti për të identifikuar drejtimet premtuese, por kërkohet vullnet politik nga vendet./Monitor